Investimet dhe turizmi, pjesë e takimit Kosovë- Shqipëri
Takimi i dytë i Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë që pritet të mbahet më 23 mars në Tiranë, do të sjell dy marrëveshje në sferën e ekonomisë. Investimet dhe Turizmi janë dy pikat që pritet të ketë dakordim për bashkëpunim ndërmjet të dyja palëve. Kështu u tha të hënën mbrëma në emisionin “Ekonomia me Erëzën” të Klan Kosovës. Ndërsa, që nga takimi i parë i dy qeverive është bërë më shumë se një vit, e rezultatet konkrete kanë filluar të shihen.
Bernard Nikaj, ish- Ministër i Tregtisë dhe Industrisë, tha se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë nuk ka munguar sa i përket marrëveshjeve në letër, por problem ka qenë implementimi i tyre. “Ne kurrë nuk kemi vuajtur nga marrëveshjet, por kemi vuajtur nga implementimi i tyre. Marrëveshja e vitit të kaluar ka qenë rrjedhojë e disa viteve probleme të qarkullimit të mallrave në të dyja anët, dhe kjo marrëveshje ka për qëllim unifikimin e tregut duke filluar nga procedurat doganore dhe procedurat e tjera” tha ish- Ministri Nikaj. Më tej ai tha se disa prej rezultateve të para të marrëveshjes së 11 janarit të vitit të kaluar tani veç kanë ardhur, siç është unifikimi i Doganave në kufi me Shqipërinë.
Situatë pozitive ka vlerësuar edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili tha se raportet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë çdo ditë e më shumë po përmisohen dhe kjo është meritë e të dy qeverive. “Sot, prodhuesit e patates nga Kosova kanë marrë tokë me qira në Shqipëri dhe prodhojnë patate. Gjithashtu po shikohet që Kosova të ketë kuota në hidro në ujë në Shqipëri si dhe po shikohet për investime të përbashkëta, pra çdo ditë e më shumë po rritet bashkëpunimi tregtar ndërmjet dy vendeve”, tha Ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi. Më tej Minxhozi shtoi se turizmi i Kosovës ka nevojë për promovim, ai tha se veç ka filluar që të vizitohet më shumë nga shtetasit e Shqipërisë.
Ndërkaq, sa i përket takimit të radhës që pritet të mbahet këtë herë në Tiranë, përsëri në agjendë do të jetë ekonomia, e prioritete do të jenë investimet dhe Turizmi. Këtë e tha Sytrime Dervisholli, Udhëheqëse e Divizionit për Marrëveshje Tregtare në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës. “ Gjatë takimit do të kemi marrëveshje në sferën e ekonomisë. Investimet dhe Turizmi do të jenë dy pika për të cilat unë kam informacion se do të nënshkruhen marrëveshje” tha Dervisholli.
Sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë “INSTAT”, thuhet se eksportet e Kosovës në Shqipëri, gjatë vitit 2014, janë vetëm 42.68 milionë euro, ndërsa, importet e Kosovës nga Shqipëria gjatë të njëjtit vit, kanë kapur shifrën e mbi 134 milionë eurove. Ndërsa, 649 biznese kosovare operojnë në Shqipëri, dhe 709 biznese të shtetit shqiptar operojnë në Kosovë. Ndryshe, ditë më parë, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci dhe homologu i tij, ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë, Damian Gjiknuri nënshkruan marrëveshjen për treg të përbashkët të energjisë.


