Matoshi zhvillon takime të rëndësishme në Maqedoni
Gjilan – Nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi së bashku me udhëheqësin e personelit Faton Biqkaj, vizituan Republikën e Maqedonisë me ftesë të drejtorit të Institutit Kosovar të Qeverisjes Lokale Besnik Tahiri, në kuadër të një delegacioni të gjerë përfaqësuesish të komunave të Kosovës, ministrive dhe shoqërisë civile. Nënkryetari Matoshi dhe shefi i personelit zhvilluan takime me ministrin e Vetëqeverisjes Lokale në Maqedoni Lirim Shabani, Kryetaren e Tetovës Teuta Arifi, Kryetarin e Gostivarit Nevzat Bejta dhe kryetarin e Strugës Ziadin Sela.
Të gjitha këto takime ishin në shërbim të shkëmbimit të përvojave të pushtetit lokal në Kosovë dhe Maqedoni.”Të dy proceset e decentralizimit në shtetet tona kanë burim marrëveshjet politike, atë të Vjenës për Kosovën që u pasua nga plani Ahtisari dhe marrëveshjen e Ohrit në Maqedoni. Në vendet tona është arritur decentralizimi politik ndërsa mbetet ende shumë për tu bërë në aspektin praktik të decentralizmit të shërbimeve për qytetarët “tha Matoshi.
Si mjaft të dobishme vizitën e ka cilësuar edhe udhëheqësi i personelit Faton Biqkaj. “Kjo vizitë është e mirëseardhur për të parë funksionimin e stafit civil në komunat e Maqedonisë, ndarjen e rolit dhe detyrave të zyrtarëve komunal në komuna dhe për të parë mundësinë e përmirësimit të kualitetit të shërbimeve komunale” tha udhëheqësi i personelit Faton Biqkaj.
Nënkryetari i Kamenicës, e ka mbajtur edhe një ligjëratë para vijuesve të gjeneratës së katërt të Akademisë për Qeverisje Lokale, në qytetin e Ohrit në lidhje me bashkëpunimin në mes të Kryetarit të Komunës dhe Kuvendit Komunal. “Zbatimi i politikave dhe programit të secilit kryetar të zgjedhur duhet të garantohet përmes arritjes së një koalicioni të shumicës në kuvendet komunale, për t`u mos bllokuar idetë dhe vizioni i kryetarit të komunës. Rasti i komunës së Prishtinës ku kryetari ka mbështetjen e vetëm 20% të asamblistëve na tregon se sa e vështirë është të arrihen synimet e përcaktuara dhe implementimi i politikave të kryetarit. “ tha midis tjerash Matoshi./rajonipress/


