Kundërshtohet “amnistia” për zyrtarët që s’e deklarojnë pasurinë
Zyrtarë të Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë kundërshtuar të enjten ndryshimet në nenin 437 të Kodit Penal, i cili flet për mosraportimin ose raportimin e rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër materiale ose të detyrimeve financiare, shkruan sot Koha Ditore.
Ndryshimet e sponsorizuara një ditë më parë nga Qeveria favorizojnë zyrtarët që nuk deklarojnë ndonjë pjesë të pasurisë.
Me ndërhyrjet e bëra, për t’u ndëshkuar të tillët, domosdo duhet të faktohet motivi i fshehjes së qëllimshme të pasurisë.
Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka thënë të jetë informuar për ndryshime vetëm nga gazeta. Ai ka dhënë konkluzionin se ndryshimet e tashme nuk janë të dobishme.
“Nëse miratohet amendamentimi i Kodit Penal, ky do të jetë edhe një arsyetim i prokurorëve për t’i hedhur të gjitha kallëzimet penale. Si të provohet qëllimi? Si të provohet dashja? Kjo është e pamundur. Të gjitha refuzimet e prokurorive për të ngritur aktakuza për korrupsion e kanë të njëjtin arsyetim – ka shkelje ligji, por nuk ka ekzistuar dashja”, i ka thënë “Kohës Ditore” Preteni. “Kush do të pranojë se një vepër e ka bërë me qëllim, me dashje? Askush!”


