Për nxënësit e riatdhesuar, mësim shtesë
Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës, që për shkak të emigrimit kanë braktisur shkollën muajve të fundit, kanë mundësi të kthehen në procesin mësimor.Sipas Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë (MASHT), ata që janë kthyer deri më tani dhe që do të vazhdojnë të kthehen gjatë këtij muaji nuk do të mbajnë orë plotësuese.
Kurse nxënësit që do të kthehen pas muajit mars do t’u nënshtrohen orëve plotësuese. Vlerësohet se numri i nxënësve që kanë braktisur shkollat muajve të fundit arrin në 5.200.
“Edhe ne kemi informata se shumë nxënës do të kthehen. Nxënësit që janë kthyer deri më tani dhe që po vazhdojnë të kthehen do të vazhdojnë mësimin aty ku e kanë lënë, sepse nuk ka qenë humbje e madhe, për shkak se ka qenë fundi i gjysmëvjetorit të parë dhe pothuajse të gjithë kanë pasur nota. Mirëpo, nëse edhe një muaj vonohet kthimi i tyre, atëherë për ata nxënës planifikohet të organizohen kurse plotësuese, në mënyrë që të mbërrijnë me mësim nxënësit e tjerë, sepse pas një muaji bëhet vonë”, ka thënë këshilltari i ministrit të Arsimit, Azem Guri./koha/


