Policia e Gjilanit organizon ligjëratë vetëdijesuese për parandalimin e kancerit të gjirit
Gjilan – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka zhvilluar një aktivitet vetëdijesues për rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe parandalimit të kancerit të gjirit, në kuadër të projektit “Me ty për shëndetin tënd”, me moton “Ji më e fortë se çdo sfidë”.
Aktiviteti u realizua më 26 tetor, në ambientet e Stacionit Policor në Gjilan, nga Njësia e Komunitetit, në koordinim dhe bashkëpunim me Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Komunës së Gjilanit.
Në kuadër të këtij aktiviteti u mbajt një ligjëratë informuese për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, e udhëhequr nga mjekja, Dr. Elvana Klaiqi, dhe infermierja Mimoza Kurteshi Hajdari.
Gjatë ligjëratës u trajtuan çështje të rëndësishme që lidhen me informimin e drejtë shëndetësor, rëndësinë e kontrolleve të rregullta mjekësore dhe rolin vendimtar të zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit. Po ashtu, u theksua nevoja për rritjen e ndërgjegjësimit dhe përfshirjen e institucioneve në promovimin e kujdesit shëndetësor dhe parandalimit të sëmundjeve.
Përmes projektit “Me ty për shëndetin tënd”, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan synon të kontribuojë në vetëdijesimin e komunitetit për çështjet shëndetësore, duke përcjellë mesazhe të rëndësishme për kujdesin ndaj vetes, solidaritetin dhe mbështetjen për personat e prekur nga kanceri i gjirit.
Ky aktivitet dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në promovimin e shëndetit publik dhe në krijimin e një kulture më të avancuar të informimit, parandalimit dhe kujdesit shëndetësor në shoqëri./rajonipress/

