Kërkohet hetim i përgjithshëm i diplomave universitare
Skandali që plasi me diploma të falsifikuara në ish-Fakultetit të Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë, ka ngjallur dyshime se gjithë sistemi i arsimit, pas luftës e këndej, ka dalë nga binarët. Prandaj për ta kthyer për së mbari sistemin e arsimit të lartë, kërkohet që të zgjerohen hetimet edhe në institucionet tjera të arsimit në Kosovë, përfshirë këtu Universitetin e Prishtinës dhe të gjitha kolegjet private.
Ndonëse, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka deklaruar se do të vendosë rend tek arsimi i lartë përmes zbatimit të ligjshmërisë, njohës të fushës së arsimit, hezitojnë të besojnë se kjo mund të ndodhë. Madje, kërkesa e dalë nga njerëz të kësaj fushe përfshin dhe mbylljen e universiteteve publike.
Gazeta “Zëri” siguroi dosjen e Prokurorisë Themelore të Pejës, e cila po heton një skandal me diploma false në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara të Biznesit në Pejë. Sipas rektoratit të këtij të fundit, nga 505 studentë, 503 nuk figurojnë në arkivat e tyre të kenë qenë ndonjëherë studentë të këtyre institucioneve. Fakulteti i Shkencave të Aplikuara të Biznesit më herët ka funksionuar në kuadër të Universitetit të Prishtinës, ndërsa pak vite më parë është pavarësuar dhe ka marrë emrin Universiteti “Haxhi Zeka” – Pejë./zeri/


