Papunësia brenga kryesore e qytetarëve dhe punëkërkuesve gjilanas
Gjilan – Papunësia në Rajonin e Gjilanit edhe më tej mbetet një ndër problemet më të theksuara të qytetarëve përkatësisht të papunëve dhe punëkërkuesve. Sipas Xhevat Aliut udhëheqës i ZKP në Gjilan aktualisht të evidentuar në Zyrat Komunale të Punësimit të Rajonit të Gjilanit janë 31389 të papunë dhe punëkërkues – Gjilan -18628, Kamenicë- 6567 dhe Viti – 6194.
Vetëm gjatë muajit janar të këtij viti janë paraqitur dhe janë evidentuar 154 të papunë dhe punëkërkues të rinj, raporton rajonipress.
Sipas Aliut edhe më tej mbizotëron struktura e të pakualifikuarve (49.1%) dhe atyre me shkollim të mesëm (35.9%). Mbizotëron struktura e punëkërkuesve të rinj me rreth 60%. Gjate muajit janar nga këshilltarët janë këshilluar 1727 punëkërkues, derisa janë vizituar 219 ndërmarrje, janë evidentuar 64 vende të reja të punës, janë ndërmjetësuar në punësim 66 punëkërkues ( në krahasim me të njëjtën periudhë të viti të kaluar ka një rritje të konsideruar si rezultat i hapjes së disa bizneseve të reja gjatë këtij muaji) dhe janë ndërmjetësuar në trajnim 42 punëkërkues.
Aliu tha se për ketë vit nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) në bashkëpunim me Ministrin e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural(MBPZHR) është arritur marrëveshja për zhvillimin e politikave aktive të tregut të punës me realizimin e disa projekteve të karakterit të punëve publike dhe me këtë rast edhe Rajoni i jonë do të jetë përfitues dhe do të krijohen kushte për punësim sezonal të një numri të konsideruar të punëkërkuesve.
Gjithashtu Aliu tha se do të vazhdohet me Projektin e UNDP me skemën “Trajnim në punë” dhe për të riatdhesuarit me skemën trajnim në punë dhe subvencionim në pagë.
Ka vende të lira edhe për ndjekjen e trajnimeve me qëllim të aftësimit dhe riaftësimit profesional në Qendrën e Aftësimit Profesional për përgatitjen e tyre për tregun e punës dhe mundësin e punësimit andaj apeloj te të interesuarit që ta shfrytëzojnë këtë mundësi sepse të gjitha shërbimet janë falas tha Aliu./rajonipress/


