Studentët bllokojnë hyrjet e Fakultetit Teknik
Një grup i studentëve të Fakultetit Teknik kanë bllokuar hyrjet e këtij fakulteti duke pamundësuar kështu hyrjen e profesorëve dhe studentëve brenda.
Studentët protestues nuk kanë lejuar as hyrjen e dekanit të këtij fakulteti, Musli Bajraktarit.
Ky i fundit ka thënë për Gazetën Tribuna se bllokimi i hyrjeve të fakultetit është i patolerueshëm.
Sipas tij, protestat dhe bojkotimet janë të pranueshme, por i papranueshëm sipas tij, është pengimi i hyrjes në objektin e fakultetit të studentëve dhe profesorëve.
“kjo është e paimagjinueshme, e drejta e tyre është të protestojnë, të bojkotojnë mos të vijnë mësim, por të vijnë dhe të barrikadohen dhe të mbyllin hyrjet në njërën anë studentët, në anën tjetër profesorët, dhe çka mund të ndodh nëse profesorët vendosin të bojkotojnë mësimin, le të analizojnë dhe të mendojnë kjo rini se çfarë janë duke bërë”, ka thënë Bajraktari.
Në këtë mënyrë studentët po kërkojnë nga Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe rektori Ramadan Zejnullahu që kushti për vitin e parë të jetë me shtatë provime; afati i prillit të jetë me dy provime, afati i tetorit të vlejë për kusht dhe të jetë me dy provime; kushti për vitin e dytë të jetë me katër provime dhe lirim nga semestri për kategoritë e veçanta të studentëve. /Gazeta Tribuna/


