Kuvendi i Vitisë shqyrton buxhetin për nëntëmujorin e parë të vitit 2026, ekzekutimi arrin në 96,99%
Viti – Kuvendi Komunal i Vitisë ka mbajtur mbledhjen e dhjetë të rregullt, ku janë shqyrtuar nëntë pika të rendit të ditës, që përfshinë pasqyrat financiare të buxhetit komunal për periudhën janar–shtator 2026, projektet investive, vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe çështje të tjera me interes për qytetarët.
Mbledhja u drejtua nga kryesuesi i Kuvendit, Bekim Azizi, i cili në fillim i njoftoi të pranishmit për vlerësimin e ligjshmërisë së akteve të miratuara në mbledhjen e kaluar.
Të hyrat vetanake arrijnë mbi 1,1 milion euro
Diskutimet më të gjera në këtë seancë u përqendruan te pasqyrat financiare të buxhetit komunal për nëntëmujorin e parë të vitit 2026.
Drejtoresha për Financa dhe Zhvillim Ekonomik, Milihate Ajeti, gjatë prezantimit të raportit bëri të ditur se Komuna e Vitisë ka inkasuar gjithsej 1.115.746,64 euro të hyra vetanake, me një shkallë të inkasimit prej 86,18% në raport me planifikimin vjetor.
Megjithatë, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025, të hyrat vetanake kanë shënuar rënie prej 60.797,68 eurosh.
Sa i përket realizimit të shpenzimeve, sipas raportit, buxheti i alokuar për periudhën janar–shtator 2026, nga burimet përkatëse financiare, përfshirë grantin qeveritar, të hyrat vetanake dhe donacionet, ka arritur në 16.760.026,88 euro.
Ndërkaq, shpenzimet e realizuara gjatë kësaj periudhe kanë kapur vlerën prej 16.255.876,45 eurosh.
Sipas të dhënave të prezantuara, shkalla e ekzekutimit të buxhetit ka arritur në 96,99% të mjeteve të alokuara për programet dhe kategoritë ekonomike përkatëse.
Gjatë debatit, anëtarët e Kuvendit Komunal parashtruan pyetje dhe kërkuan sqarime shtesë lidhur me realizimin e të hyrave vetanake dhe shpenzimin e mjeteve publike.
Miratohen vendime për projekte dhe çështje zhvillimore
Përveç raportit financiar, asamblistët shqyrtuan dhe miratuan edhe disa propozim-vendime që lidhen me zhvillimin komunal, investimet dhe çështjet sociale.
Ndër pikat e trajtuara ishte raporti për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe dëmet e tjera të shkaktuara në territorin e Komunës së Vitisë.
Po ashtu, u shqyrtua dhe u miratua propozimi për dhënien e pëlqimit institucional dhe mbështetjes komunale për zhvillimin e një projekti investues në fushën e teknologjisë së informacionit dhe infrastrukturës së të dhënave në lokalitetin e Sllatinës.
Në këtë mbledhje u miratua edhe propozimi për ngritjen e një obelisku kushtuar dëshmorëve dhe martirëve të Vërbanit.
Një tjetër pikë me rëndësi ishte Plani Komunal për Riintegrimin e Qëndrueshëm të Personave të Riatdhesuar dhe Integrimin e të Huajve në Komunën e Vitisë për periudhën 2026–2028.
Bashkëpunim ndërkomunal me komunën italiane
Kuvendi trajtoi gjithashtu nismën e kryetarit të Komunës së Vitisë për nxitjen e bashkëpunimit ndërkomunal me komunën e San Cosmo Albanese në Itali, si dhe propozimin për autorizimin e kryetarit për të ndërmarrë veprimet përkatëse në funksion të këtij bashkëpunimi.
Në kuadër të rendit të ditës u dha edhe një informatë për ndarjen e subvencioneve nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport gjatë vitit 2026.
Informohen asamblistët për aktivitetet e Muajit Rozë
Me propozimin e Komitetit për Politikë dhe Financa dhe me miratimin e këshilltarëve komunalë, në rendin e ditës u përfshi edhe informata e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) lidhur me aktivitetet e zhvilluara gjatë muajit tetor, në kuadër të fushatës së ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, të njohur si Muaji Rozë.
Kuvendi u njoftua për aktivitetet e realizuara në Viti dhe lokalitetet përreth, me synim rritjen e vetëdijesimit për rëndësinë e parandalimit, kontrolleve të rregullta dhe zbulimit të hershëm të sëmundjes.
Në përfundim të mbledhjes, anëtarët e Kuvendit parashtruan pyetje dhe ngritën çështje të ndryshme që lidhen me nevojat dhe interesat e qytetarëve të Komunës së Vitisë./rajonipress/

