Qumështorja “Malësia” merret shembull i të bërit biznes në Kosovë
Kamenicë – Begzad Sinani i shoqëruar edhe nga nënkryetari Fatmir Matoshi kanë vizituar Qumështoren “Malësia” në Kamenicë. “Kjo është rruga që duhet të ndiqet nga të gjithë investitorët e mundshëm dhe poashtu ky është përkushtimi i institucioneve lokale që të japin kontributin e tyre në zhvillimin e ndërmarrjeve prodhuese të cilat krijojnë vende të reja të punës” ka thënë Sinani.
“Pavarësia e Kosovës e fiton kuptimin e saj të plotë kur në vendin tonë të funksionojnë ndërmarrje prodhuese sikur kjo që po e shohim sot. Duke mbështetur biznesin tuaj ne mbështesim edhe fermerët e Kamenicës me të cilët kam vënë ura direkte të komunikimit duke i vizituar të gjithë” ka thënë Sinani
Ibrahim Gashi, pronar i kësaj Qumështore ka treguar se investimi i bërë është plotësisht vetanak dhe kontribut mbi katër dekada i punës së tij dhe anëtarëve të familjes. “Kam ardhë nga Zvicra dhe gjithë kapitalin që e kam pasur e kam investuar në këtë ndërmarrje, janë mbi 120 vite punë të bëra nga unë dhe anëtarët e tjerë të familjes. Aktualisht këtu punojnë shtatë persona, ndërsa gjatë verës numri arrin në 12, duke mos llogaritur edhe 64 fermerë me të cilët kemi kontrata bashkëpunimi. Ne si familje nuk kemi pasur vështirësi ekonomike, por vullneti dhe dëshira që të krijojmë vende pune edhe për të tjerët na ka shtyrë të investojmë këtu. Biznesi ynë ka nevojë për mbështetje dhe përkrahje në disa fusha në mënyrë që të rritet sasia dhe cilësia e prodhimeve” tha Ibrahim Gashi.
Komuna është zotuar se do ta përkrah këtë biznes për të aplikuar në fonde të ndryshme në Qeverinë e Kosovës dhe poashtu edhe tek donatorët ndërkombëtar. “Do të shkruajmë letërpërkrahjet, do të ndërmjetësojmë organizmin e takimeve me donatorët dhe jemi të gatshëm të japim gjithë kontributin tonë për avancimin e mëtejmë të kësaj Qumështore” tha Fatmir Matoshi.
Begzad Sinani dhe nënkryetari Fatmir Matoshi kanë inkurajuar të gjithë konsumatorët kamenicas që të përdorin prodhimet e kësaj fabrike./rajonipress/


