ARKATANA

Pa gjysmë shteti e me gjysmë populli

/ 11 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Flaka Surroi – … apo rrëfimi për vetëlavdërimin, mohimin dhe servilizmin si filozofi sundimi

Javën e shënoi arritja e një marrëveshjeje të cilën e kemi parë e nuk e kemi parë, për të cilën dimë diçka e nuk dimë asgjë, porse, që në fund, është parafuar nga dy, nga tre kryeministrat e Kosovës: ai nominali Mustafa dhe ai i treti Vuçiq. Kryeministri i Jashtëm kësaj radhe shërbeu si vëzhgues, krahas dostit të tij homolog, Daçiq.

Në ambientin tashmë të njohur për delegacionin kinez të Kosovës, kësaj radhe negociatat i moderoi shefja e re e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, italiania Mogherini. Nuk përtoi të dilte t’ia zgjaste dorën secilit anëtar të delegacionit kosovar, prezenca e të cilit u mbulua me flamurin e Evropës. Pra, në sallën ku bëheshin fotot për arkiv, ishin vendosur dy flamuj të Evropës dhe një i Serbisë – në emër të barazisë së palëve në negociata. Barazisë, sipas të cilës, njëra palë është shtet kandidat, e tjetra palë njëfarë krijese ndaj të cilit gati krejt dynjaja, e në rend të parë Evropa, ka status neutral dhe që për zbukurim e mban njëfarë fusnote që s’kishte pasur hiç antifriz, se s’ka dreq që e shkrin qe sa e sa muaj.

Vetëlavdërimi

Duke u mbështetur në fjalët që rrjedhin andej-këndej dhe në debatet e zhvilluara në Kuvend, copa e letrës e nënshkruar më 9/10 janar mbase do ta ketë fatin e kontratës me “Bechtel Enkan” që nuk e pamë kurrë, por e cila na tregoi në formë plastike se si është të mbetesh pa asnjë cent në qarkullim kur ndërton rrugë me para të gatshme – e kur e harxhon gati dyfishin e asaj që të kanë thënë se do të kushtojë rruga. Nejse. Çmimin që do ta paguajmë me këtë copë letre do të jetë me gjasë një pjesë e rëndësishme e sovranitetit me një shkelje masive të Kushtetutës dhe një diskriminim gjithëpërfshirës të të gjithëve, pos serbëve. Si në kohën e masave të dhunshme serbe, me dallimin që kësaj radhe diskriminimin e pranuam me nënshkrim të vullnetshëm.

Por, nëse i dëgjojmë Mustafën dhe Kuçin, si shef i dikasterit që merret me gjykatat, marrëveshje më të mirë s’kishim mundur të arrinim. Sipas tyre, në ato gjykata do të zbatohet ligji i zbatueshëm në Kosovë. Dhe, sipas tyre, janë ruajtur parimet sipas të cilave do ta kemi një gjykatë themelore me dy objekte për shtatë komuna, ku krejt punojnë së bashku, e ku rastet penale shkojnë në veri e ato civile në jug. Sipas asaj që e kanë thënë, numri i gjyqtarëve dhe i personelit administrativ do të jetë i përafërt me strukturën e popullsisë në këtë pjesë të Kosovës. Sipas kryeministrit, me funksionalizimin e kësaj marrëveshjeje duhet të shuhen të gjitha gjykatat dhe prokuroritë në Serbi që i referohen territorit të Republikës së Kosovës, si dhe dokumentacioni gjyqësor, i cili ka qenë jashtë, duhet të kthehet në Gjykatën Themelore. Fare në fund, me Marrëveshjen, EULEX-it i janë dhënë kompetenca në fazën e transicionit për kalimin e lëndëve prej andej-këndej.

Mirëpo, pos faktit që negociatat në Bruksel u vazhduan pa marrë leje nga Kuvendi; se vazhduan pa ia paraqitur strategjinë se për çka do të bisedohet dhe cilat janë objektivat, flet për nivel jashtëzakonisht të ulët të transparencës. Dhe e dëshmon se thirrjet që u bënë nga të gjithë zyrtarët e pozitës kur ndodhën protestat që gjërat të diskutoheshin nëpër institucione, ishin demagogji e kulluar. Për shkak se jo vetëm këtu u shpërfill Kuvendi, porse ai shpërfillet në secilën seancë, ku qeveritarët kryesisht mungojnë dhe as nuk i dëgjojnë pyetjet, e as nuk japin përgjigje, por veç fjalë.

Përmbajtja e saj vërtet nuk është parë, porse nëse duhet mbështetur në atë që u tha në Kuvend, atëherë kemi të bëjmë me një ujdi absolutisht diskriminuese ndaj të gjithëve, pos serbëve. Ja pse. Marrëveshja taksativisht përcakton se të punësuarit nëpër gjykata e prokurori mund të jenë ose shqiptarë ose serbë, por jo edhe boshnjakë, turq, goranë, a kroatë a çka do… Te ne supozohet se ekziston tregu i lirë i punës, ku lëvizjet nuk janë të kufizuara dhe ku njerëzit mund të ndërrojnë vendbanim edhe nëse janë nga ndonjë komunë tjetër. Sipas kësaj marrëveshjeje, kjo nuk është e mundur.

Shqiptarët janë të diskriminuar edhe nëse del përnjëmend se palët janë marrë vesh të ketë gjithsej rreth 276 të punësuar (gjyqtarë, prokurorë, staf administrativ e profesional) prej të cilëve 154 do të jenë serbë e 122 do të jenë shqiptarë. Nëse kjo gjykatë do t’i përfshijë dy Mitrovicat, Skenderajn, Vushtrrinë, Zubin-Potokun, Leposaviqin dhe Zveçanin – diqysh nuk po më dalin hesapet. Sipas Regjistrimit të popullsisë, del se në komunat shqiptare ka 191 mijë banorë e në katër serbe 39 mijë. Dikush duhet me qenë matematikan i fortë për të na e shpjeguar “proporcionin e balancuar” të kësaj Marrëveshjeje.

Konstatimi në fund: anëtarët e delegacionit kinez të Kosovës mund të lavdërohen deri mbasnesër se na kanë shpëtuar me këtë marrëveshje, ani që e kanë shkelur Kushtetutën, porse atë që kanë arritur me këtë, është ta legalizojnë Serbinë si palë vendimmarrëse në gjyqësinë kosovare – sepse ashtu e thotë pika 9 e saj.

Mohimi

Eco Higjiena

Ndërkohë, sistemi gjyqësor vetëm sa shkon e zbulon kalbjen përbrenda që e ka kapluar prejse iu vunë bazat në kohën e UNMIK-ut. Para dy ditësh gazeta raportoi se si prokurorja/koordinatorja nacionale antikorrupsion i kishte propozuar Gjykatës Supreme që ta lironte nga vuajtja e mëtejme e dënimit me burgim vëllanë e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit, për shkak se ky po vuante nga hipertensioni dhe diabeti. Për më tepër, thuhet e këtë propozim e kishte përkrahur edhe prokurori i Prizrenit, që rastisi të ishte po i njëjti ushtrues detyre i kryeprokurorit të Kosovës.

Psenë e këtij veprimi do të duhej kërkuar te ambicia e prokurores Pula që të emërohet kryeprokurore e shtetit, se tjetër shpjegim zor se mund të ketë. Sepse ende e kemi të freskët mishmashin që ndodhi me rastin e pensionimit të kryeprokurorit Kabashi që donte t’ia linte postin me një vendim pak a shumë të kontrabanduar që u prish falë shkrimeve në “KOHA Ditore”. E se e gjithë procedura për zgjedhjen e kryeprokurorit tashmë është bërë telenovelë e keqe që po flet më parë për luftën për pushtet, sesa për ndjekjen e kriminelëve që na e hëngrën shpirtin, nuk ka dyshim. Është situatë e mjerueshme që i lë qytetarët pa shpresë se gjërat do të lëvizin vendit për të mirë. Për më tepër, siç e thotë shakaja ironike që e dëgjova sot, shpresë nuk ka, se edhe ajo ka ikur në Hungari.

Drejtësia në Kosovë e ka prekur fundin duket. Ajo që kishte nisur si rezultat i kaosit të pasluftës u institucionalizua në atë që u njohë si mosndëshkim. Pra, shpëtimi i të fortëve nga drejtësia u bë jo vetëm falë mosndjekjes dhe moszbulimit të rasteve dhe të kryerësve, por edhe nga procedimi i pafund i lëndëve të tyre nëpër gjykata. Duke lënë hapësirë që ata, të cilët dyshohen se kanë udhëhequr organizata për të cilat edhe ka dëshmi se nuk i kanë pasur duart të pastra, tash nga foltorja e Kuvendit t’i mohojnë krimet. Ta mohojnë realitetin të cilin nëse nuk e kanë ndërtuar vetë, atëherë gjithsesi kanë ndikuar që të jetë i tillë çfarë është.

Në një këmbim jo fort të këndshëm në Kuvend me deputeten e LDK-së, familjares së një viktime të një atentati të pazbuluar qe 16 vjet, Mr. Kty, u përgjigj duke thënë se “Në Kosovë kanë vrarë serbët gjatë luftës…”. Në Kosovë kanë vrarë edhe shqiptarët, edhe gjatë luftës e edhe pas luftës, sepse këtë e ka vërtetuar madje edhe ky sistem disfuksional i drejtësisë, me ndihmën e gjykatësve ndërkombëtarë. Këtë e ka pranuar edhe një ish-pjesëtar i SHIK-ut që e ka pranuar se ka kryer vrasje, e ka edhe plot rrëfime të tjera që thonë se as shqiptarët nuk i kanë duart krejt të pastra. Ta mohosh një fakt të cilin e ka vërtetuar gjykata, nga kolltuku i kryeparlamentarit që e udhëheq organin që i përfaqëson të gjitha etnitë që kanë qenë apo kanë mundur të jenë viktima të krimit është ta mohosh realitetin të cilit i ke kontribuuar. Është demagogjike, është arrogante dhe është ofenduese për një popull që ka merituar më mirë se kaq.

Serviliteti

E tashmë shpesh e kemi përsëritur se Kosova e ka merituar një shef shteti më të mirë sesa Jahjagën. E cila edhe këtë javë mban me shumë merita epitetin e Mbretëreshës së Nepalit.

Pa spekuluar se a me vetiniciativë apo me udhëzim, Jahjaga nisi të dalë në terren javën e shkuar për t’i bindur njerëzit që të mos e braktisnin Kosovën. Shkoi në Podujevë, Ferizaj e Vushtrri, e mandej e bëri një pauzë gjatë vikendit. Supozoj për shkak se e shtuna dhe e diela nuk janë ditë pune. Më pas, doli sërish në terren, dhe shkoi në Gjilan. Atje e rrethuan, i folën, e kritikuan, iu ankuan. Ajo ua përmendi pavarësinë, e këta iu përgjigjën me pyetje: “A hahet Pavarësia?”. Në fund, e dha një deklaratë para medieve: “Rruga e ikjes nuk është rrugë e mirë, nuk është rrugë e sigurt dhe ata duhet të rrinë në Kosovë, e ardhmja e tyre është këtu dhe së bashku me të gjitha institucionet edhe ato lokale edhe ato qendrore që të vazhdojnë në proceset e mëtutjeshme të shtetndërtimit tonë, sepse vetëm së bashku mund ta arrijmë synimin tonë kryesor që është i integrimeve euroatlantike”.

Me keqardhje kryetare, synimi ynë kryesor është me e pasë një jetë normale në një shtet normal, funksional dhe të mëvetësishëm ku nuk do të varemi përjetë nga instruksionet që do të na i japin të huajt. Dhe ku nuk do të na vjedhin e rrejnë secilën ditë të lume. Dhe ku nuk do të kemi udhëheqës politikë që satisfaksionin e vetëm e kanë kur ndonjë zyrtar amerikan i lavdëron, për shembull, për “lidershipin dhe udhëheqjen e gjithë procesit të lehtësimit të diskutimeve me liderët e partive politike, që çoi në zgjidhjen e krizës institucionale dhe ndërtimin e institucioneve të Kosovës” – sepse thonë, ja Amerika po thotë se kemi vepruar drejt.

Lëre që nuk keni vepruar drejt, por për shkak se nuk e keni kaçikun për të vendosur vetë, për të menduar me mendjen tuaj, e për të vepruar si është më së miri se nuk kanë si t’ju shantazhojnë për asgjë, është se e kemi një Qeveri të padëshiruar; e kemi humnerën ekonomike; e kemi ikjen masive të njerëzve; e kemi sakrifikimin e një shtetësie të brishtë për hir të ruajtjes së stabilitetit të rajonit dhe për hir të dëshmimit botës se Kosova është “success story” (rrëfim suksesi). Se investimi i të huajve në ne ia ka vlejtur. Ani që mbetëm me gjysmë shteti e pa gjysmën e popullit.

flaka@koha.net

© KOHA.net

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.