Komuna tregohet e papërgjegjshme: Banorët i largojnë vet bllokadat nga rruga
Gjilan – Në rrugën Pograxhë – Dobrosin – Stublinë që lidhen dhjetëra fshatra shqiptare andej e këndej kufirit edhe pse janë investuar mbi 1.3 milion euro, komuna nuk e mirëmban këtë arterie. Reshjet e fundit bllokuan disa pjesë të kësaj rruge derisa banorët janë detyruar që vet të organizohen dhe t`i eliminojnë pengesat.
Kjo rrugë vazhdon të mbetet nën mëshirën e zotit, meqë as Komuna e Gjilanit e as Ministria e Infrastrukturës nuk kujdesen për mirëmbajtjen e saj.
Rruga Pograxhë-Stublinë-Dobrosin e gjatë gjashtë kilometra e quajtur si rruga e shpresës dhe e bashkimit të dhjetëra fshatrave shqiptare andej dhe këndej kufirit tanimë ka mbetur nën mëshirën e zotit. Kjo rrugë ka kushtuar mbi 1 milion e 300 mijë euro dhe është investim i Ministrisë së Transporteve.
Reshjet e fundit shkaktuan shembje dheu e gurësh nëpër rrugë e të cilat paraqesin rrezik për vozitësit. Në disa vende kjo rrugë edhe kishte pengesa gurësh. Duke parë neglizhencën dhe injorancën e organeve komunale banorët e Dobrosinit janë organizuar vet këtë të diele dhe mbi 60 veta kanë pastruar tërë rrugën.
Banorët thanë se këtë e bënë vullnetarisht pasiqë askush nuk kujdeset për këtë rrugë. Ferati një banor i Dobrosinit tha se kjo rrugë është gjynah që nuk mirëmbahet. “Është investuar shumë në këtë rrugë. Ne tërë ditën kemi punuar mbi 60 veta dhe mezi e bëmë funksionale rrugën, kurse po të kishte ndonjë eskavator puna do të ushte kryer për pak minuta” tha ky banor.
Organet komunale dhe drejtoria e shërbimeve publike edhe pse kishte premtuar se do ta bënte të kalueshme rrugën, askush nga këta zyrtar nuk ka treguar vullnet për të ndihmuar këta banor të brezit kufitar.
Kjo rrugë kishte gëzuar tej mase banorët e brezit kufitar. Me asfaltimin e kësaj rruge tashmë janë lidhur edhe fizikisht fshatrat shqiptare me Kosovën, sidomos Dobrosini, Lluqani, Verbani, Nasalca, Cerretica, etj e shumë fshatra tjera që tashmë e kanë më të lehtë edhe komunikimin, por edhe shërbimet mjekësore.
Ndryshe kjo rrugë vazhdon të mirëmbahet kohë pas kohe nga vet banorët e Stublinës (Kosovë) dhe të Dobrosinit (Serbi). Mehmetali Sadriu aktivist nga Dobrosini tha se po të mos ishin organizimet e kohëpaskohshme ku banorët vet participojnë me punë vullnetare për të larguar pengesat dhe shembjen e dheut nga rruga, kjo rrugë do të mbyllej e tëra.
Edhe banorët e Stublinës ndihen të shqetësuar që rruga e cila ka kushtuar mbi 1 . 3 milion euro nuk mirëmbahet nga askush. Zymer Osmani banor nga Stublina thotë se rruga Pograxhë- Stublinë – Dobrosin është shumë e frekuentuar dhe ajo ka nevojë për një mirëmbajtje të rregullt. “Asnjëherë asnjë punëtor zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës apo i komunës nuk e ka vizituar këtë rrugë edhe pse është investim i tyre. Ne vet po mundohemi ta pastrojmë rrugën nga shembja e gurëve, por kjo punë realisht është pjesë e Ministrisë së Infrastrukturës ose e organeve komunale të Gjilanit” tha Osmani. /rajonipress/


