Daut Xhemajli dënohet me 1 vit e pesë muaj burgim
Gjilan – Gjykata Themelore në Gjilan ka dënuar dhe shpallur fajtor Daut Xhemajlin nga Vitia me 1 vit e pesë muaj burgim, derisa Florim Ramajn e ka dënuar me 1 vit burgim
Në Gjykatën Themelore në Gjilan të kryesuar nga gjykatësja Emine Salihu është shpallur aktgjykimi ndaj të akuzuarit, Daut Xhemajli për veprën penale shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit me dënim burgu në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) muajve, i cili dënim nuk do t`i ekzekutohet në qoftë se i akuzuari në kohën prej 1 viti, nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi nuk kryen vepër tjetër penale, në të kundërtën gjykata do t’ia revokojë dënimin me kusht, raporton rajonipress.
Për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtarë me dënim burgu në kohëzgjatje prej 1 viti, i cili dënim nuk do t`i ekzekutohet në qoftë se i akuzuari në kohën prej dy viteve, nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi nuk kryen vepër tjetër penale, në të kundërtën gjykata do t’ia revokojë dënimin me kusht”.
Të akuzuarit Daut Xhemajli gjykata ia shqipton dënimin unik me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 5 muaj, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në qoftë se i akuzuari në kohën prej 3 viteve nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi nuk kryen vepër tjetër penale, në të kundërtën gjykata do t’ia revokojë dënimin me kusht thuhet në aktgjykim.
Të akuzuarit Florim Ramaj për veprën penale keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtarë me dënim burgu në kohëzgjatje prej 1 viti, i cili dënim nuk do t`i ekzekutohet në qoftë se i akuzuari në kohë prej dy viteve, nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi nuk kryen vepër tjetër penale, në të kundërtën gjykata do t’ia revokojë dënimin me kusht.
Të akuzuarit Daut Xhemajli dhe Florim Ramaj në mënyrë solidare obligohen që të dëmtuarës , Komuna e Vitisë t’ia kthejnë dëmin e shkaktuar material në shumë prej 6.834 Euro.
Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Shaban Spahiu pranë Prokurorisë Themelore në Gjilan, Departamenti për krime të rënda, Daut Xhemajli dyshohet se më 04.12.2008, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për veti apo për organizatën e biznesit, ka shpërdorë pozitën zyrtare apo autorizimin në atë mënyrë që duke qenë në pozitën e shefit të administratës së përgjithshme dhe personelit në Komunën e Vitisë, ka nxjerr vendimin me të cilin ka liruar nga pagesa e qerasë mujore në vlerë të 1090 eurove për katër muaj barnatoren “Galemi Pharm”, me çka të dëmtuarës komunës së Vitisë i ka shkaktuar një dëm material prej 4.360 eurove.
Në këtë aktakuzë Xhemajli akuzohet dhe për një dëm tjetër që i ka shkaktuar Komunës së Vitisë, duke mos u kujdesur për implementimin e obligimeve kontraktuese për firmën “Elita” duke i shkaktuar një dëm komunës në vlerë të 6.834 eurove.
Në këtë aktakuzë është i dyshuar edhe Florim Ramaj si kryetar i komisionit për vlerësimin dhe pranimin e investimeve. /rajonipress/


