ARKATANA

Disa këshilltarë komunalë s`e çelin gojën

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Kamenicë – Arsim Thaçi (VV) ka marrë pjesë në diskutime kuvendare 100 herë, Jeton Biqku (LDK) – 90 herë, ndërsa nga këshilltarët femra janë dalluar Besa Hoxha – Krasniqi (LDK) me 28 pjesëmarrje në diskutim dhe Fillorta Rexha (PDK) me 15 pjesëmarrje në diskutime. Asnjëherë nuk e kanë çelur gojën në seanca Ismail Sopi (LDK) dhe Edona Ajeti (AKR).

Organizata e shoqërisë civile NOPM, e cila ka monitoruar punën e Kuvendit dhe të Ekzekutivit në Kamenicë, në kuadër të projektit ”Përmirësimi i qeverisjes përmes monitorimit dhe avokimit”, të financuar nga Ambasada e Shteteve te Bashkuara të Amerikës, ka publikuar raportin e saj, ku evidenton të metat dhe të mirat e qeverisjes së këtushme.

Drejtoresha ekzekutive, Besime Tusha ka thënë se monitorimi është kryer gjatë periudhës prill-dhjetor 2014 dhe ka pasur për qëllim të identifikojë të metat e qeverisjes dhe shkeljet e ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, por edhe të shënojë ngritjen dhe rritjen e kapaciteteve, shfrytëzimin e buxhetit, marrjen e vendimeve si dhe rritjen e transparencës. OJQ NOPM ka pasqyruar dhe analizuar në mënyrë të përgjithshme angazhimet e anëtarëve të Kuvendit dhe Komiteteve si dhe të subjekteve politike, sa i përket pjesëmarrjes në diskutime gjatë seancave, ngritjes së çështjeve, inicimit të çështjeve urgjente, propozimit të pikave të rendit të ditës, pyetjeve parlamentare, kërkesave për interpelancë dhe të tjera.

Më i votuari, përveç kryesuesit të Kuvendit, Bajram Dërmaku, me 130 pjesëmarrje në debat dhe udhëheqje të mbledhjeve, ka qenë Arsim Thaçi (VV) me 100 pjesëmarrje në diskutim, Jeton Biqku (LDK) me 90 pjesëmarrje në diskutime, Besnik Rrudhani (LDK) – me 57, pjesëmarrje në diskutime. Anëtarët më pasivë kanë qenë Ismail Sopi (LDK) – 0 pjesëmarrje në diskutime, Edona Ajeti (AKR) – 0 pjesëmarrje, Hazbije Myrtaj (PDK) – 1 pjesëmarrje në diskutim. Anëtaret më aktive nga radhët e femrave kanë qenë Besa Hoxha–Krasniqi (LDK) – 28 pjesëmarrje, Filloreta Rexha (PDK) – 15 pjesëmarrje, Minivere Maka (LDK) – 14 pjesëmarrje në diskutime, kurse ato më pak aktive ishin Ibadete Ahmetaj (PDK) – 9 pjesëmarrje, Fahrije Kryeziu (LDK) – 6 pjesëmarrje, Besarta Kallaba (AKR) – 5 pjesëmarrje, kurse si anëtare pasive janë renditur Elmaze Krasniqi (PDK) – 2 pjesëmarrje, Arlinda Morina (PDK) – 2 pjesëmarrje, Nikoliç Dijana (GISK) – 2 pjesëmarrje, Hazbije Myrtaj (PDK) – 1 pjesëmarrje. Edona Ajeti (AKR) – ka zero pjesëmarrje në diskutime. Në Komitetin për Politikë dhe Financa, që është trupa më e rëndësishme e Kuvendit Komunal, më aktivë kanë qenë Besnik Rrudhani (LDK), me 34 pjesëmarrje në diskutim, Sami Kastrati me 17 pjesëmarrje në diskutim, derisa në Komitetin për Komunitete, që po ashtu është trupë obligative, më aktivët kanë qenë Miljkoviç Zhivojin, Satmifer Kryeziu dhe Milaim Rexhepi.

Uji Dea

Gjatë kësaj periudhe, këshilltarët e Kuvendit Komunal kanë miratuar 12 vendime për dhënien në shfrytëzim të tokës, një vendim për formimin e këshillit për siguri në bashkësi, 42 vendime të ndryshme si dhe kanë aprovuar 6 rregullore komunale. Shumica e këshilltarëve komunalë dhe drejtorëve të drejtorive, të cilët kanë marrë pjesë në prezantimin e këtij vlerësimi, i kanë dhënë përkrahje raportit dhe kanë inkurajuar shoqërinë civile që të vazhdojë monitorimin e punës së qeverisjes komunale, pasi që evidentimi i të metave ndikon në ngritjen e cilësisë dhe transparencës te këto institucione.

Ndërkaq OJQ “Fortesa” që po ashtu ka monitoruar punën e këtyre institucioneve, shprehet e kënaqur deri diku me qeverisjen e këtushme komunale, por ka edhe vërejte për ngecje në disa sektorë e sidomos te premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore. Amir Jakupi nga OJQ “Fortesa” thotë se në komunën e Kamenicës, është shënuar një përparim i lehtë në fushën e transparencës dhe llogaridhënies, por ka ngecje në përmbushjen e disa premtimeve zgjedhore, që kanë të bëjnë me probleme konkrete dhe të rëndësishme për jetën e qytetarëve. Sa u përket premtimeve, sipas Jakupit, disa janë realizuar, disa të tjerë – pjesërisht, e disa – fare.

Ndërkaq, si të arritura të vitit 2014 konsiderohet shkolla e mesme në Roganë, asfaltimi i disa rrugicave në fshatrat Hodonoc, Koretin, Kopernicë e Strezoc si dhe rregullimi i ndriçimit publik në rrugën kryesore të qytetit dhe atë “Nënë Tereza”. Sipas vlerësimit të kësaj organizate të shoqërisë civile, drejtorët kanë treguar përkushtim relativisht të mirë në punën e tyre njëvjeçare, ndërsa për këshilltarët komunalë, nuk ka pasur vlerësime pozitive. “Te vendimmarrësit është vërejtur një shkëputje e kontakteve me votuesit”, ka thënë Jakupi. Zyrtarët komunalë në Kamenicë nuk kanë dashur ta komentojnë raportin e OJQ “Fortesa”, duke thënë se do të vazhdojnë të bëjnë punë në shërbim të qytetarëve, për çka u është dhënë besimi./rajonipress/

Mund të ju interesoj: