Porosia e VV: Jabllanoviq jashtë! Trepça është e jona!
Gjilan – Mijëra qytetarë iu bashkuan protestës së sotme dhe u pa se Gjilani njëzëri është kundër Listës Srpska, kundër Jabllanoviqit dhe për mbrojtjen e Trepçës. Protesta e sotme në Gjilan, ishte protesta e 17 në nivel vendi, vetëm brenda dy javëve. Historia dhe ekonomia jonë nuk janë çështje për të cilat mund të vendos Beogradi. Andaj, protestat e tilla gjithandej Kosovës, tregojnë mobilizimin gjithëpopullor kundrejt problemeve jetike të shtetit tonë, që për emërues të përbashkët kanë Listën Srpska.
Ne si Qendër e Lëvizjes VV në Gjilan i kemi bërë të gjitha përgatitjet për protestën gjithëpopullore që do të mbahet nesër në Prishtinë. Shumë qytetarë kanë shprehur interesimin për t’iu bashkëngjitur protestës, andaj ne e kemi siguruar edhe transportin falas me disa autobusë dhe dhjetëra vetura.
Autobusët do të nisen në ora 12:00, nga sheshi i shkollave të mesme. I ftojmë të gjithë qytetarët e Gjilanit që nesër të na bashkëngjitet, dhe të vazhdojmë së bashku deri në fund, deri në realizimin e kërkesave tona ka thënë Adonis Tahiri./rajonipress/


