EULEX’i dhe vendësit përplasen për Nazim Bllacën
EULEX-i dhe autoritetet kosovare të drejtësisë po përplasen për lirinë e Nazim Bllacës, shkruan sot Koha Ditore.
Ndërkombëtarët po kërkojnë lirimin e tij nga burgu, me arsyetimin se tashmë ka vuajtur një të tretat e dënimit siç parashihet me ligjet e ish-Krahinës së Kosovës, e vendësit po bazohen në Kodin e ri të Procedurës Penale, që parasheh vuajtjen e dy të tretave të dënimit.
Bllaca është i dënuar me 4 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e Ibush Kllokoqit, të kryer në vitin 1999, përcjell koha.net. Është i vetmi nga grupi kriminal i dërguar në vuajtje.
Të tjerët janë në liri, pos Driton Hajdarit, i cili është dërguar në burg për shkak të arratisjes. Në arrati janë edhe Shpresim Uka e Bekim Syla, derisa në liri janë Sadik Abazi dhe Shaban Syla. Ky grup është dënuar një vit para Bllacës, por autoritetet kanë vendosur t’i lënë ende në liri.


