Kamenica për herë të parë vizitohet nga Ambasada e Shqipërisë
Kamenicë – Kryetari i komunës së Kamenicës Begzad Sinani ka pritur për një vizitë Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, zotin Qemal Minxhozi.
Sinani gjatë bisedës shprehu gatishmërinë, për të filluar bashkëpunimin mes komunës së Kamenicës me komunat e Shqipërisë në fusha të ndryshme me interes të dyanshëm.
Gjatë takimit doli edhe ideja për organizimin e një panairi në qytetin e Kamenicës, ku do të merrnin pjesë dhjetë kompani të prodhimeve bujqësore nga Shqipëria, Medvegja, Bujanoci dhe Presheva.
Po ashtu u bisedua edhe për mundësinë e binjakëzimit të shkollave të mesme të komunës së Kamenicës me shkollat e ndonjë qyteti të Shqipërisë, ku do të shkëmbenin edhe vizita reciproke të nxënësve.
Ambasadori Minxhozi, i bëri një vizitë kompanisë prodhuese të kërpudhave ”Fungo ff”, për t’u njohur për së afërmi me prodhimin e kësaj ndërmarrje, si dhe vizituan varrezat e dëshmorëve./rajonipress/


