PDK: Lojë e kryetarit Haziri edhe me ndjenjat e familjeve të dëshmorëve
Gjilan – Manifestimi Kulturor “Flaka e Janarit”, që nisi në Gjilan këtu e shumë vite më parë kishte qëllimin që përmes aktiviteteve të larmishme kulturore të përkujtonte e nderonte dëshmorët, duke arritur deri aty ku në vitin 2013 mori karakterin e manifestimit gjithëkombëtarë, kur hyri në agjendën e kryeministrit të atëhershëm z. Thaçi, e që datën e nisjes e kishte më 11 Janar, në ditën që shënonte rënien e dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha, por që ky manifestim u dedikohej të gjithë të rënëve dhe dëshmorëve për liri e çlirim, në janarët e përflakur të historisë shqiptare.
Mirëpo, këtë vit Manifestimin Kulturor “Flaka e Janarit”, e zbehu kryetari I Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, nën patronatin e të cilit po mbahet “Flaka e Janarit”, duke mos përfillur datën që shënonte tradicionalisht fillimin e këtij manifestimi, që sikur çdo vit ishte 11 Janari, duke e zhvendosur fillimin e manifestimit nga data 11 në datën 14 Janar.
Përmes edhe kësaj loje politike me “Flakën e Janarit”, kryetari i Komunës, nuk shprehu nderimin e tij për dëshmorët, nuk shprehu respektin për familjet e tyre, duke i bërë ata të ndihen edhe të lënduar, madje mu për këtë disa prej tyre edhe nuk morën pjesë në hapjen e manifestimit thuhet në reagimin e PDK-së.
Këtë veprim të kryetarit të Komunës, lidhur me ndryshimin e datës së fillimit të Manifestimit Kulturor “Flaka e Janarit”, Dega e PDK-së në Gjilan e cilëson si veprim tendencioz e politik të tij.
I kujtojmë kryetarit Haziri se dëshmorët Rexhep Mala e Nuhi Berisha, ranë për një ideal të çështjes kombëtare, dhe prandaj të gjithë ne pavarësisht pozitave tona aktuale, duhet respektuar, nderuar e të përulemi para veprës së tyre, e jo të sillemi e të veprojmë me qëllime që lëndojnë familjet e atyre që dhanë dhe jetën për të mirën tonë kombëtare thuhet në reagimin e kryesisë së Degës së PDK-së, në Gjilan./rajonipress/


