ARKATANA

Xhavit Hajdarit sërish i dalin telashe me ligjin

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Xhavit Hajdari sërish do të dali para trupit gjykues në Gjykatën Themelore të Gjilanit pasiqë ka një aktakuzë të ngritur për nxjerrje të vendimeve të kundërligjshme ku ka obliguar pacientët të paguajnë nga 50 euro për operacione.

Ish drejtorit të spitalit të Gjilanit Xhavit Hajdarit i është kthyer një lëndë sërish në rigjykim dhe shumë shpejt pritet të dali para trupit gjykues.

Hajdari akuzohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan se më 11 shkurt 2010 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete ose për organizatën e biznesit, duke qenë në pozitën e drejtorit ekzekutiv në spitalin e Gjilanit ka keqpërdorur pozitën zyrtare, raporton rajonipress.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Shaban Spahiu, Hajdari ka vepruar në kundërshtim me udhëzimin administrativ si dhe në kundërshtim me statutin e spitalit, duke nxjerrë një vendim që ka obliguar pacientët që për çdo operacion të paguajnë shumën prej 50 eurove, si dhe për hapjen e historisë shumën prej 30 eurove si dhe ka obliguar pacientët që për qëndrimin më shumë se pesë ditë në spital të paguajnë shumën prej 4 eurove.

Aktakuza saktëson se Hajdari me këto veprime ka dëmtuar pacientët e spitalit duke i detyruar ata që të participojnë . Shuma e inkasuar në mënyrë të kundërligjshme arrin vlerën e 11 mijë e 450 eurove.

Uji Dea

Hajdari dyshohet për veprën penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe për veprën e dytë penale “arkëtimi dhe pagesa e paligjshme”.

Për veprën e dytë Hajdari dyshohet se ka vepruar në kundërshtim me ligjin mbi shëndetësinë kosovare sepse ka obliguar në participim të detyrueshëm rreth 46 fëmijë dhe të rinj nën moshën 15 vjeçare si dhe 11 qytetarë, pacientë mbi moshën 65 vjeçare në shumat e detyrueshme prej nga 50 euro.

Vet, Xhavit Hajdari në deklaratat e tij në hetuesi dhe prokurori ka thënë se udhëzimi për participim është nxjerrë në përputhje me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndryshe Xhavit Hajdari pritet të paraqitet para trupit gjykues që e kryeson gjykatësi Afrim Shala, derisa aktakuza kundër tij është ngritur në nëntor të vitit 2011.

Hajdari në nëntor të vitit 2012 ishte dënuar me 1 vit burg efektiv nga Gjykata Komunale në Gjilan për veprën penale “ryshfeti”. /rajonipress/

Mund të ju interesoj: