Hidromorava

Motivet e dobëta, shkak i vrasjes mes kushërinjve

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Vrasja që ka ndodhur te Varrezat e Dëshmorëve në Caralevë, në mes të kushërinjve nga fshati Greiçevc i komunës së Suharekës, ku mbeti i vdekur 19-vjeçari, Flamur Boka, raportohet të ketë ndodhur për motive të dobëta. Drejtori rajonal i policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi, konfirmoi se në cilësinë e personave të dyshimtë për pjesëmarrje në këtë vrasje, policia ka arrestuar tre persona, dy vëllezër të dorasit dhe një kushëri të tij, ndërsa Azem Boka, i cili dyshohet ta ketë kryer krimin, bashkë me armën ndodhet në arrati dhe po kërkohet nga forcat e rendit.

“Sipas hetimeve të para, del se motivet që kanë çuar në kryerjen e këtij krimi, ku një person u vra, ndërsa dy të tjerë janë plagosur, janë ato që kanë të bëjnë me një sherr për motive të dobëta, që fillimisht ka nisur një vit më parë, ndërsa është riaktualizuar në mes të ndërlikuarve në këtë ngjarje, që u përcoll me të shtëna armësh dhe viktima”, ka thënë për “Zërin” ai.

Sipas Policisë një vit më parë, ish-gruaja e axhës së viktimës, nënë e katër fëmijëve është martuar për personin që dyshohet të jetë autori i vrasjes. Gruaja për të cilën ka nisur sherri është nga Shqipëria. Nënkoloneli Krasniqi, duke iu referuar dëshmitarëve të intervistuar nga policia, tha se ky rast kishte shkaktuar përkeqësim të marrëdhënieve në mes të këtyre familjeve, ndërsa kishin rezultuar të kota përpjekjet e disa miqve të tyre për pajtim dhe tejkalimin e hasmërive.

Sipas informatave të Policisë dorasi është i njohur për policinë, pasi i njëjti është përfshirë në disa vepra të tjera penale.

UBT

Viktima është dërguar gjallë deri në Qendrën e Emergjencës në Suharekë, por aty ka ndërruar jetë, derisa dy të plagosur të tjerë janë transferuar në Qendrën Spitalore të Prizrenit, ku për shkak të plagëve më serioze dhe gjendjes më të rëndë është operuar dhe vazhdon të trajtohet.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokuroi dhe ekipet e Policisë. Forenzika dhe hetuesit po merren me hetimet në mënyrë që rasti të zbardhet.

Ky është rasti i parë i vrasjes, që është shënuar këtë vit në rajonin e Prizrenit. Tri vjet më parë, pikërisht në ditën e dytë të fillimit të vitit një person qe vrarë, nga miqtë e tij, pas një konflikti në oborrin e ish-qendrës tregtare “Ben-af”, në afërsi të stacionit të autobusëve në Prizren.

Mbështetur në raportet zyrtare të policisë në Prizren, vitin që shkoi krimi ka shënuar rënie në rajonin e Prizrenit. Në konferencën përmbyllëse të vitit, drejtori i policisë, nënkoloneli Krasniqi, ka vlerësuar se policia përmbyll vitin 2014 me suksese të theksuara. “Kemi përmbushur objektivat, sidomos në uljen e përqindjes së krimit, që ka shënuar rënie 6 për qind krahasuar me vitin paraprak”, ka thënë ai.