Hidromorava

Shpresat e pesimistëve

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Milaim Shefkiu – Optimizmi dhe shpresa thonë se e mbajnë gjallë njeriun. Edhe popullin e mban gjallë shpresa për një të ardhme më të mirë. E nëse njeriut, si pjesë strukturore e demografike e popullit, i humb shpresa ose nëse dikush arrin t’ia “vrasë shpresën”, atëherë e ke shkatërruar nga brenda dhe e ke varrosur nga jashtë.

Instituti “Gallup”, tri vjet më parë, ka nxjerrë një statistikë ku tregon se shqiptarët e Kosovës janë më optimistët në botë, pavarësisht faktit se janë populli më i varfër në Evropë. Ky përshkruhet si paradoks ordiner, pasi në anën tjetër populli më pesimist kanë dalë japonezët, që kanë të ardhura dhjetëfish më të mëdha për kokë banori sesa kosovarët.

Thonë se shqiptarët janë popull që kënaqen me pak, vetëm nëse ndjehen rehat. Edhe optimizmi, që ka nxjerrë “Gallup”, ka qenë mbi këtë bazë, se: Serbia nuk është më dhe të mirat vijnë fije-fije, ngadalë-ngadalë.

Prandaj, për 15 vjet popullin e ka mbajtur në mbivalencë “shpresa”. Por, 15 vjet pas luftës, kjo shpesë për një të ardhme të ndritur ka filluar të humbet sikurse drita e qiririt që harxhohet dikur…

Tash gjithçka po duket si një imazh optik, fotomorganë që të krijon vetvetiu një pesimist të irrituar për faktin se ke besuar në diçka irracionale. E si rezultat i këtij zhgënjimi, është ky eksod masiv i popullit të Kosovës për të ikur nga vendlindja, për të shtegtuar, siç ka thënë populli: “aty ku bren miza hekur”.

Tani, bazën duhet shtruar mbi atë se: pse po ndodh ndryshimi radikal, nga një popull optimist në pesimist të skajshëm.
Në këtë stad, faji bie mbi ata që kanë qeverisur me vendin, që e kanë sjellë popullin deri në këtë derexhe dhe gati ia kanë vrarë edhe shpresën për një perspektivë në Kosovë.

Derisa veterani i luftës ndjehet pishman që ka qenë pjesë e një historie aq të lavdishme, ose prindi i atij 7-vjeçarit, që ia ka mbytur qeni, duke u përpjekur t’i fitojë disa euro për një palë këpucë, bën blasfemi – pse ka lindur në këtë shtet, atëherë këtu ka diçka që nuk ecën.

E kur procesi ngec e rezultati i ekuacionit me dy të panjohura nuk del sikurse ai i formulës, atëherë ose detyra është zgjidhur keq, ose formula është dhënë gabim. Prandaj defekti duhet të kërkohet në menaxhimin e shtetit dhe si nevojë imediate, kërkohet ndryshim në substancë.

FIDANISHTJA

Populli thotë se: Kur thyhet kerri gjenden plot rrugë. Këtu u thye kerri, por rrugë të tjera s’ka, është vetëm një.

Njëdrejtimëshe.

Është ajo rruga e integrimit evropian që nënkupton integrimin e shteteve pa korrupsion, pa nepotizëm, pa eksod masiv me synim azilin.

Qeverisja në Prishtinë i arrin këto synime, kur krijon perspektivë për njerëzit e saj, zhvillim ekonomik, krijon infrastrukturë të besueshme për ardhjen e investitorëve të huaj këtu, atëherë kjo rrugë kalohet pa pengesa, që nënkupton se “kerri më nuk thyhet”.

Nëse këto kushte krijohen, përmbushet edhe premtimi i ministrit të Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, i cili tha se në vitin 2015 hiqen vizat për kosovarët. Ai këtë premtim e mbështeti në plotësimin e disa prej kushteve në Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave, por harroi se ikjet e kosovarëve po vazhdojnë varg… ndërsa kushti themelor për heqjen e vizave është lufta kundër imigrimit të rremë dhe riatdhesimi i të kthyerve.

Kosova në këto dy çështje ka çaluar, prandaj këto premtime mbesin në suazat e një qytetari të para tri vjetëve të anketuar nga “Gallup”.

Popullit më nuk i duhet “fjalët me sheqer”, por i duhet sheqeri, nuk u duhen premtimet, i duhen gjerat e prekshme që atij t’i kthehet shpresa që e kishte dikur…