Pozita thotë se buxheti shkon në Kuvend deri në fund të dhjetorit, opozita dyshon
Opozita shprehet skeptike se buxheti do të shqyrtohet shumë shpejt nga deputetët. Deri në fund të dhjetorit pritet të mbahet seanca për shqyrtimin e projektbuxhetit për vitin 2015.
Ndonëse javën që po hyjmë Kuvendi i Kosovës do të mbajë dy seanca, ende nuk dihet se kur mund të mbahet seanca në të cilën do të shqyrtohet buxheti për vitin 2015. Adem Grabovci nga PDKja thotë se do ta shqyrtojnë mundësinë për mbajtjen e një seance tjetër në fund të javës.
“Në seancën tjetër pikë e rendit të ditës do të jetë aprovimi i buxhetit për vitin 2015. Unë besoj se në seancën e parë që do të ketë Kuvendi i Kosovës pas konstituimit me komisionet parlamentare pikë e parë e rendit të ditës do të jetë aprovimi i buxhetit për vitin 2015” ka thënë Grabovci.
Edhe partitë opozitare shtrojnë nevojën për shqyrtimin sa më të shpejtë të buxhetit nga ana e Kuvendit të Kosovës. Por, opozita është skeptike se buxheti do të shkojë shpejt në Kuvend.
Donika KadajBujupi, nga AAK ka thënë se: “Fatkeqësisht në asnjërën prej dy seancave te radhës dhe siç po shihet në interes ka qenë më tepër akomodimi i interesave të dy partnerëve të koalicionit sesa akomodimi i nevojave të qytetarëve sesa sjellja e projektbuxhetit ne seancën e parë ose të dytën. Po shihet se ky proces do të stërgjatët sepse nuk ka asnjë vullnet që të procedohet tutje”.
Pas marrëveshjes ndërmjet PDKsë dhe LDKsë për koalicion qeverisës dhe konstituimit të institucioneve, është thënë që projektbuxheti për vitin e ardhshëm do të jetë ndër prioritetet kryesore, krahas miratimit të disa projektligjeve tjera me rëndësi.


