Eko Higjiena

Tema e mërgimit në qendër të ekspozitës së Adem Dërmakut

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Mbrëmjen e të enjtes së javës së kaluar në galerinë “Am Lindenhof” në qytetin e vjetër të Cyrihut ka hapur ekspozitën e tij personale grafisti Adem Dërmaku.

Në një ambient të ngrohtë, i rrethuar me miq të tij dhe të artit, shqiptarë e zviceranë, Dërmaku është përpjekur që të shpjegojë preokupimet e punimeve të tij të ekspozuara dhe teknikat e përdorura.

Ekspozita e tij me titullin “Zwei Füsse” (Dy këmbët) pasqyron krijimtarinë e tij të kohëve të fundit të Dërmakut, një etapë që dallon nga të mëparshmett. Sigurisht, lidhjet me fazat e mëhershme ruhen si në ngjyrat ashtu dhe në shprehjen që e përshkon gjithë krijimtarinë e tij të deritashme.

“Koncepti i emigrimit, problemet që secili individ i ka në lidhje me emigrimin, si është gjetur në vendin ku ka emigruar. Kjo është tema që më ka preokupuar dhe nga e cila kanë dalë pjesa më e madhe e punimeve”, thotë Dërmaku për albinfo.ch. ai shton se çështja e refugjatëve është preokupuese edhe në gjithë botën edhe pse te ne aktualisht ka marrë përmasa të frikshme.

Teknikat me të cilat janë krijuar veprat e ekspozuara në këtë ekspozitë janë të kombinuara. “Më karakteristike është ajo e akrilikut me byk të sharrës (drurit). Është një teknikë që punimit i jep më shumë reliev dhe e bën atë më të gjallë”, thotë autori.

ARKATANA

Në hapjen e ekspozitës ka qenë e pranishme edhe Shukrije Ramadani, u.d. e drejtorit të Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih.

Adem Dërmaku ka mbaruar drejtimin e grafikës në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, në vitin 2001, ku dhe në vitin 2005 ka marrë gradën e magjistrit. Prej më se dhjetë vitesh jeton në Zvicër, Cyrih. Këtu ai ka pasur fatin dhe mundësinë që të punojë në një atelie të njohur grafike, ku dhe ka provuar veten në teknika si litografi (shtypja në gurë), që është një raritet në gjithë Zvicrën e më gjerë.

Deri më tash artisti nga Kosova ka pasur një numër shumë të madh ekspozitash personale në Prishtinë, Cyrih dhe Shkup. Po ashtu ai ka marrë pjesë në mbi 80 ekpozita kolektive nëpër vende të ndryshme të botës, si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Bullgari, Rumani, Zvicër, Gjermani, Austri, Francë, Spanjë dhe Japoni.

Dërmaku është i specializuar në litografi, aktualisht është i punësuar si asistent në studion e Grafikës në teknikën e Litografisë, Grafische Anstalt J.E Wolfensberg AG, në Cyrih.

albinfo.ch