FIDANISHTJA

Bujqësia e Blerandit: E mora me 10 milionë, po e lë me 60 milionë euro

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Është bërë shumë punë në Ministrinë e Bujqësisë sipas ish shefit të këtij dikasteri, Blerand Stavileci i cili nga dje e ka nisur punën e ministrit të ri të zhvillimit ekonomik.

Në një postim të gjatë në faqen e tij në “Facebook”, ministri Stavileci ndër të tjera ka thënë se kur u emërua në pozitën e ministrit të bujqësisë, në mars të vitit 2010 buxheti i kësaj ministrie ishte 10 milionë euro.

“Morëm bujqësinë me 10 milionë dhe po e lëmë me 60 milionë euro buxhet”, ka shkruar Stavileci.

Lexojeni postimin e plotë të Blerand Stavilecit:

“Kultura e punës

Nuk është e lehtë të nisësh një punë me përgjegjësi të mëdha, por është më vështirë t’i thuash asaj lamtumirë, sidomos pas një rrugëtimi të gjatë, të vështirë, të sfidueshëm, por të suksesshëm.

Që nga 31 marsi 2010, kur u emërova Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e deri më sot kaluan 4 vjet e 9 muaj. Më priste një sprovë e madhe. Me plotë pikëpyetje e me plotë vështirësi, të cilat në ditët e para të punës dukeshin gati sa të patejkalueshme. Dilemat bëheshin edhe më të mëdha kur mbaje parasysh faktet që bujqësia nënvlerësohej, fermeri paragjykohej, përkrahja financiare mungonte. Organizimi ministror ishte në fillet e para të tij. Koordinimi me donatorë linte shumë për të dëshiruar. Thënë me pak fjalë, e dija që më priste shumë punë, sepse bujqësia ishte anashkaluar për një dekadë të tërë dhe pasojat rëndonin më së shumti mbi fermerët tanë të vyeshëm, të cilët kishin humbur shpresat dhe besimin, jo vetëm në sektorin, por, mjerisht, shpesh edhe në punën që bënin. Të gjitha përpjekjet tona të ditëve të para ishin si ta kthenim këtë shpresë, si ta kthenim mosbesimin në besim të fuqishëm dhe pasigurinë në siguri jetëgjatë. Për ta realizuar këtë mision punuam 57 muaj dhe çfarë arritëm të bëjmë?!

KKVITI

Morëm bujqësinë me 10 milionë dhe po e lëmë me 60 milionë euro buxhet. E bëmë riorganizimin institucional dhe reformën sektoriale. I krijuam dhe fuqizuam strukturat e nevojshme administrative, në përputhje me kërkesat e Politikave të Përbashkëta Bujqësore të BE’së, si dhe e rritëm efikasitetin e tyre. Trasuam rrugën për zhvillimin e bujqësisë, dhe tani e tutje mund të investohen edhe më shumë mjete, sepse janë krijuar të gjithë mekanizmat e nevojshëm menaxhues, zbatues e monitorues të programeve e planeve që garantojnë menaxhimin e drejtë të përkrahjes publike. Kjo përkrahje sot përfshin të gjithë sektorët e bujqësisë. Përkrahëm 100 mijë fermerë me grante e subvencione. Krijuam 10 mijë vende të reja të punës dhe mbështetëm 80 mijë të tjera ekzistuese. Investuam në 3 mijë projekte për zhvillimin rural. Subvencionuam 200 mijë hektarë tokë të punueshme dhe 1.5 milionë krerë bagëtie. Ndërtuam dhe kompletuam me infrastrukturë 250 ferma të reja blegtorale. Sipërfaqet e mbjella u rritën me 60 mijë hektarë të rinj. 20 mijë hektarë të rinj të tokës bujqësore u përfshinë nën sistemin e ujitjes.

Filluam ta përkrahim financiarisht edhe agrobiznesin, përpunimin dhe marketingun e produkteve bujqësore. Siguruam ruajtjen e produkteve bujqësore, duke ndërtuar qendra grumbulluese me kapacitete rajonale. E realizuam regjistrimin bujqësor, i cili nuk ishte bërë që një gjysmëshekull. Krijuam fondin garantues për kreditë bujqësore. Hoqëm TVSH-në për prodhimtarinë primare bujqësore. Krijuam rrjetin institucional të shërbimeve këshillimore nëpër komunat e Kosovës. Siguruam 20 milionë dollarë kredi për zhvillimin e bujqësisë nga Banka Botërore. Implementuam me qindra projekte zhvillimore në bashkëpunim me donatorët e rëndësishëm si USAID-i, Komisioni Evropian, si dhe të gjitha agjencitë për zhvillim të shteteve mike të vendit tonë. Gjithashtu, hartuam Strategjinë për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural 2014-2020 dhe e linjëzuam atë me Politikën e Përbashkët Bujqësore të BE’së. Nuk mund të lë pa përmendur edhe një fakt që lidhet me gratë fermere, të cilave iu krijuam edhe përparësi në skemat mbështetëse. Në vitin 2010 gratë fermere arritën të absorbojnë vetëm 80 mijë euro fonde mbështetëse, kurse sot ato kanë përfituar mbështetje deri në 4 milionë euro. Pra, kemi krijuar bazë solide për zhvillimin e bujqësisë.

Është bërë pak apo shumë?! Mund të jeni tashmë duke menduar.

Ju e dini që të kultivosh prodhime bujqësore, do të thotë të përballesh me shumë vështirësi dhe probleme, por këto gjithnjë kultivojnë tek njeriu edhe aftësi të rralla e të jashtëzakonshme për t’i përballuar dhe tejkaluar ato. Kam thënë gjithnjë, se bujqësia është “shtëpi pa kulm” dhe e di që kemi mundur të bëjmë edhe më shumë, sepse gjithmonë, për çdo gjë ekziston mundësia të bëhet shumë e më shumë. Por, jam i bindur se shumë për sektorin do të bëjë edhe ministri i ri, të cilit dje ia dorëzova detyrën. Fragmentarizimi dhe ruajtja e tokës bujqësore, sistemet e ujitjes, ruajtja e pyjeve, shërbimet këshillimore, dëmet nga fatkeqësitë natyrore dhe një mori sfidash të tjera vazhdojnë ta shoqërojnë sektorin e bujqësisë, të cilat kërkojnë një bashkëpunim dhe bashkërendim shumë më të madh të veprimeve në mes nivelit lokal dhe qendror. E derisa me këto dhe shumë sfida të tjera tashmë do t’i duhet Memlit të merret, unë përsëri jam përballë pyetjeve të reja që po presin përgjigje të ndryshme…

Dje pranova detyrën e re në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Një sprovë akoma më e madhe që kërkon akoma më shumë energji, vendosmëri dhe guxim për t’u përballë e për t’i mposhtë sfidat e reja në atë që më së shumti i duhet vendit tonë, zhvillimi ekonomik.

Falënderoj të gjithë punëtorët e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe fermerët, agrobizneset e përfaqësuesit e tyre për bashkëpunimin korrekt dhe mirëkuptimin e treguar. Ndërkaq, mirëpres bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e punëtorëve dhe palëve të interesit në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

Shumë punë për zhvillim e prosperitet”.