FIDANISHTJA

Sa do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës pagat e qeveritarëve?

/ 2 minuta lexim
FIDANISHTJA

62 mijë e 920 euro vetëm për një muaj do të marrin pagë 20 ministra dhe 40 zëvendës të tyre në qeverinë e re Mustafa.

Kaq do t’i kushtojnë buxhetit të Kosovës dhe taksapaguesve pagat e qeveritarëve, e shifra do të rritet kur secili të angazhojë këshilltarë e pjesëtarë tjerë të stafit, raporton KTV.

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar nga liderët e dy partive, Hashim Thaçi i PDK-së dhe Isa Mustafa i LDK-së, qeveria e këtij të fundit do të ketë 20 ministra, një më shumë se qeveria e kaluar.

Secila ministri do të ketë nga 2 zëvendësministra për fillim sepse kjo mund të ndryshojë e ata të shtohen, varësisht nëse ka nevojë, thuhet në këtë marrëveshje.

Opozita vazhdon të insistojë se qeveria nuk ka jetë të gjatë, por nënshkruesit janë kujdesur që të cekin se kjo marrëveshje vlen në mandatin qeveritar 2014-2018.

Megjithëse marrëveshje për qeverinë, aty liderët janë kujdesur të kontrollojnë edhe Kuvendin, pavarësisht se mandati i deputetëve është i lirë.

“Grupi parlamentar i PDK-së dhe ai i LDK-së pajtohen që të mos përkrahin propozimet, të cilat nuk janë miratuar nga Qeveria dhe për të cilat nuk ka marrëveshje paraprake nga të dyja grupet parlamentare”, shkruan në dokument.

Hidromorava

Asnjë mocion mosbesimi që do të iniciohet nga partitë opozitare, nuk do të përkrahet nga PDK-ja dhe LDK-ja.

Koalicioni është pajtuar që pjesë e kabinetit qeveritar të mos jenë persona të dënuar për vepra penale ose të tjerë që mund të kenë aktakuza të ngritura ndaj tyre.

Hashim Thaçi, që para zgjedhjeve konsideronte se i duhet edhe mandati i tretë për ta dërguar Kosovën më afër BE-së, meqë dështoi në këtë, tash ia siguroi vetes postin e Presidentit.

Kur Atifete Jahjaga të përfundojë detyrën në vitin 2016, atë në bazë të kësaj marrëveshje, do ta trashëgojë ish-kryeministri Thaçi, transmeton Koha.net.

Në mënyrë që të gjitha këto 20 pika të respektohen, do të krijohet Komisioni i Koalicionit, me 4 anëtarë, që do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes.

© KOHA.net