Kapen 18 kosovarë ilegalë, përfshirë një foshnjë pesëjavëshe
Defekti i motorit të veturës në autostradë A92 në afërsi të Landshut-it ka qenë “taksirat” për kontrabandistin gjerman. Pasi është detyruar të ndalet në pjesën anësore të rrugës, shoferi ka mbetur në makinë ndërsa personat që ishin në të dolën jashtë. Dikush e ka njoftuar policinë për skenën që po luhej aty dhe kur ajo ka ardhur ka zbuluar se bëhej fjalë për një transport ilegal klandestinësh kosovarë.
18 veta, në mesin e të cilëve, gra e fëmijë dhe një foshnje pesëjavëshe, të gjithë nga Kosova.
Ngjarja ka ndodhur të martën rreth orës 12.55.
Grupi i refugjatëve kosovarë: 9 gra, 5 burra dhe 4 fëmijë ishte kapur nga policia në një pyll afër autostradës. Asnjëri nga ta nuk posedonte vizë për Gjermani.
Më vonë ata janë transportuar me pesë vetura të policisë në qendrën e inspektoratit policor. Pas procedurave të zakonshme ata janë dërguar në qendrën e azilit në Munih.
Kontrabandisti, pas marrjes në pyetje është lëne i lirë, por ndaj tij është bërë kallëzimi penal për trafikim të të huajve.
albinfo.ch


