Hidromorava

U këndua kënga: “Xhamadani vija – vija…” nga Demir Krasniqi, këngëtar…

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Pas krejt kësaj ngjarje kulturore, këngëtari ynë Demir Krasniqi, në vigjilje të kësaj date historike, doli përpara dhe këndoi këngën “Xhemadani vija-vija…”, e cila këngë i bëri të gjithë të pranishmit ti bashkohen këngës të ngritur në këmbë. Ishte vërtetë një moment prekës dhe joshës për të gjithë artdashësit, të cilët, në fund të këtij manifestimi, bibliotekës së shkollës i dhuruan afro 100 vepra të tyre.

Kur vjen Nëntori Ynë i Madh, na përkujtohen dy kolosët e mëdhenj të vitit 1912: Ismajl Qemajli e Isa Boletinin. Janë këta dy atdhetarë të kombit tonë, të cilët, populli shqiptar nuk do ti harrojë, por përherë do t’i përkujtojë e nderojë në çdo vend shqiptar. Pse jo? Janë figura më të mëdha të kombit, të cilët, si një, dhanë çdo gjë për të parë Shqipërinë e sotme të Pavarur. Ajo edhe ndodhi në vitin 1912, tash e 102 vjet më parë, kur Ismajl Qemajli e Isa Boletini e disa atdhetarë të tjerë, ngritën flamurin kuq e zi në Vlorën heroike.

Dhe, për shqiptarët, viti 1912 është datë më e rëndësishme në analet e historisë së bërjes së Shqipërisë shtet. Andaj, kjo ngjarje e madhe historike s’duhet të harrohet nga askush që është shqiptar, por do të duhej përkujtohet sa herë na vijnë Nëntorët tanë të ndritur e të Mëdhenj. Po ky Nëntor historik u përkujtua edhe në mesin e shkollarëve të Shkollës fillore “Vatra e diturisë” në fshatin Livoç i Epërm, komuna e Gjilanit, të cilët, si një, organizuan një orë letrare që la mbresa të veçanta jo vetëm tek mësimdhënësit e shkollarët e tyre, por edhe tek mysafirët artdashës të artit poetik.

Fillimisht, Fadil Musliu, drejtor i shkollës në fjalë tha se, sot, si një, jemi tubuar ta shënojmë këtë datë historike, pra 102-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, e cila datë na bën të krenohemi sot e përgjithmonë. “Duke e përkujtuar Nëntorin e Madh të vitit 1912, pra tash e 102 vjet më parë, sikur kjo ngjarje e madhe po na rrëmben e po na afron me artdashësit e vegjël e me krijuesit tjerë, të cilët, në veprat e tyre po e madhërojnë këtë datë historike të popullit tonë shqiptar.

Siç dihet, ky Nëntor historik (1912), ka lënë gjurmë të thella tek krijuesit e artit poetik e artet të tjera, të cilët po e ringjallin figurën e madhe të kombit, Ismajl Qemajli, patriotit e ideologut të madh të Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo datë historike, edhe këtu, në orë letrare e kudo tjetër, po na bashkon dhe po na nderon”. Në këtë orë historike, punimet letrare i lexuan afro dhjetë shkollarë, të cilët, motiv të parë patën, Nëntorin e Madh të vitit 1912.

ARKATANA

Me këtë rast, punimet e tyre letrare i lexuan këta krijues gjilanas, si: Shefik Shkodra, Tefik Selimi, Hysen Këqiku, Mehmetali Rexhepi, Gani Korça, Jusuf Bislimi, Lulzana Pajaziti, Demir Krasniqi e Lavdie Shkodra. Mirëpo, Elena Hajdari, një mysafire e moshës së re, recitoi poemin e Mitrush Kutelit “Poemi Kosovar”, e cila, përnjëherë i mahniti e i rrëmbeu të gjithë pjesëmarrësit e orës letrare për atë paraqitje të rrallë të “shijes” artistike.

Ajo ishte e tëra një aktore, e cila, me artin e saj recitues artistik, sikur e solli para nesh, poetin e njohur, Mitrush Kutelin, i cili me veprën e tij në vargje na ngjalli kohën e trojeve shqiptare, që padrejtësisht coptoheshin nga të huajt. Të gjithë që e përcollën këtë aktore të re, e shpërblyen me një: Të lumtë, Elena …!”

Pas krejt kësaj ngjarje kulturore, këngëtari ynë Demir Krasniqi, në vigjilje të kësaj date historike, doli përpara dhe këndoi këngën “Xhemadani vija-vija…”, e cila këngë i bëri të gjithë të pranishmit ti bashkohen këngës të ngritur në këmbë. Ishte vërtetë një moment prekës dhe joshës për të gjithë artdashësit, të cilët, në fund të këtij manifestimi, bibliotekës së shkollës i dhuruan afro 100 vepra të tyre.

Juria e përbërë nga Sh. Shkodra e M. Rexhepi, punimet e shkollarëve i shpërblyen me këto çmime: çmimi i parë i takoi Festina Kurteshi, nxënëse e klasë së tetë të shkollës në fjalë, çmimi i dytë i takoi Djellza Kurteshi dhe çmimin e tretë e fitoi nxënësja, Flakresa Kurteshi. Në fund, Hamit Xhymshiti, arsimtar i kësaj vatre të diturisë tha se, kjo ishte një orë letrare, që nuk do të harrohet, por do të mbahet në mend për disa vite të tëra si një ngjarje e veçantë kushtuar Nëntorit të Madh, vitit 1912.

“Unë jam tejet i gëzuar dhe i habitur se si kjo orë letrare doli bukur ashtu si e kemi menduar. E kemi ftuar Demir Behlulin, piktor dhe krijues nga Gjilani, i cili sonte na mungon, por ai na ka përshëndetur nga Durrësi, ku ka hapur një ekspozitë personale nga arti figurativ”. /tefik selimi/rajonipress/