Hidromorava

Delawie: Korrupsioni, kërcënim për Kosovën

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Korrupsioni është kancer, i cili ngadalë e dëmton tërë trupin shtetëror dhe shkatërron të ardhmen e tij. Kështu u tha në diskutimin me temë “Lufta kundër korrupsionit politik në Kosovë: Sfidat aktuale në funksion të reformave të ardhshme”, organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP).

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka thënë se korrupsioni po gërryen të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, si dhe po pamundëson përparimin politik, duke frikësuar investimet dhe duke gjymtuar moralin e qytetarëve, të cilët ndihen të pafuqishëm për ta mundësuar ndryshimin pozitiv.

“Nëse duam t’ia vëmë fundin korrupsionit duhet ta çmontojmë copë-copë. T’i heqim mundësitë për korrupsion dhe t’u kërkojmë llogari shkelësve të ligjit. Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të punojnë me mund për ta fituar besimin e publikut, duke i ndjekur në mënyrë agresive rastet e korrupsionit dhe duke i dënuar dhe dërguar në burg shkelësit e ligjit. Nëse vërtet duam ta ndalim korrupsionin, atëherë vetë qytetarët e Kosovës duhet të thonë mjaft. Sa më shumë kohë kaloj me njerëzit anembanë Kosovës, aq më shumë bindem se korrupsioni është njëri nga kërcënimet më të mëdha për të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Delawie.

Delawie ka folur edhe sa i përket peticionit kundër tij, duke shtuar se secili ka të drejtë të shprehë mendimin e vet, pasi që liria e shprehjes garantohet dhe me Kushtetutë.

ARKATANA

“Reagimi im i parë është se më vjen mirë që po jetojmë në një vend si Kosova ku liria e shprehjes garantohet me Kushtetutë. Në një vend ku çdo njeri ka të drejtë të shprehë mendimin e tij. Kjo përfshin dhe autorin e ankesës kundër meje”, ka thënë Delawie, duke shtuar se nuk e ka ndërmend të kërkojë falje për deklaratat e tij ndaj opozitës. “Reagimi im i dytë ishte se nuk kërkoj falje, për mbështetjen ndaj demokracisë dhe mosdhunës në Kosovë. Ju qëndroj besnik deklaratave të mia se nuk ka vend për gaz lotsjellës dhe dhunë në demokraci e as që ato të përdoren si mjete politike. Do të vazhdoj të shfrytëzoj të drejtën time për lirinë e shprehjes për ta mbështetur udhëtimin e Kosovës drejt BE-së. Dhuna në Kuvend dhe në rrugë ka lënduar pozitën e Kosovës në botë”, ka përfunduar ambasadori amerikan.

Në anën tjetër ministri i Drejtësisë në Kosovë, Hajredin Kuçi, ka thënë se ka ardhur koha të kemi adresim të veçantë sa i përket luftimit të korrupsionin. “Nuk mund t’i ikim asaj që mund ta quajmë korrupsion politik. As Kosova nuk ka imunitet në këtë drejtim”, ka thënë Kuqi, i cili ka shtuar “Ne do të punojmë edhe më shumë që këtë perceptim në opinionin publik ta ndryshojmë edhe në realitet. E dimë që ka shumë punë për të bërë në këtë drejtim dhe duhet që secili prej nesh të japë kontributin e tij”, ka thënë Kuqi.

Megjithatë ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuqi, ka thënë deri sa është reale të flitet për korrupsionin në Kosovë, mirëpo jo edhe të abuzohet me këto terma vetëm që pastaj Kosovës të mos i jepen procese të integrimit, siç është liberalizimi i vizave. “Jam dakord se në Kosovë ekziston korrupsioni politik dhe është mirë të flitet për të deri në masën sa është reale. Mirëpo, jo të përdoret në momente të caktuara vetëm për të justifikuar mosintegrimin e Kosovës, siç mund të jetë mosdhënia e liberalizimit të vizave për Kosovën. Unë jam i bindur se Kosova qëndron më së miri në rajon sa i përket nivelit të ulët të korrupsionit”, ka thënë Kuqi.

Ndërkohë drejtori i Agjencisë Antikorrupsion, Hasan Preteni, ka thënë se ende mbetet shumë punë për t’u bërë sa i përket luftimit të korrupsionit./zeri/