Përurohet stadiumi ndihmës financuar nga Bashkimi Evropian
Gjilan – Në Komunën e Gjilanit është bërë sot përurimi i stadiumit ndihmës, një projekt kapital që është financuar nga Bashkimi Europian, e i cili është një arenë shtesë për sportin dhe sportistët gjilanas.
Në këtë event të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Christof Stock, përfaqësues të institucioneve nga niveli qendror dhe ai lokal.
Me këtë rast kryetari Lutfi Haziri, ka falënderuar Komisionin Europian, për këtë investim të madh kapital në Gjilan dhe për shumë programe të tjera në të cilat Komuna e Gjilanit është përfituese e drejtpërdrejtë nga Komisioni Europian.
“Sot përuruam një projekt madhor dhe kapital për Gjilanin. Ky është një stadium ndihmës me të gjitha standardet dhe parametrat e Bashkimit Europian, në të cilin klubet sportive do të kryejnë aktivitetet e veta me një kualitet të lartë. Sot po e bartim këtë projekt kapital në duar të sportit e në veçanti në duar të sportistëve. Na mbetet që tani e tutje ta ruajmë dhe mirëmbajmë këtë projekt. Edhe pas dy e më shumë vjetëve kjo fushë besojmë se do të jetë e të njëjtit standard sepse vepra të mëdha sikur kjo e sotmja nuk bëhen përditë, ato kërkojnë investime të mëdha dhe angazhim të madh, andaj bashkërisht të bëjmë çmos që kjo vepër të jetë e të gjithë neve dh eta ruajmë të gjithë bashkërisht”, tha ndër të tjerash kryetari Haziri, duke potencuar që Gjilanit po i shtohet infrastruktura publike, sportive e rekreative.
Ndërsa, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Christof Stock, ka thënë se është kënaqësi e madhe që këtë stadium ta jep në dorë kryetarit të Komunës dhe Gjilanit në përgjithësi, andaj kujdesuni për të sepse është pasuri e juaja.
“Është kënaqësi e madhe që të jem sot në Gjilan dhe të marr pjesë në hapjen e këtij projekti kapital për sportin e Gjilanit. Nga tash e tutje këtë terren sportiv, mund ta shfrytëzojnë ekipe të ndryshme të sportistëve si nga ekipet e meshkujve poashtu edhe femrave. Ky stadium mund të përdoret gjatë të gjithë vitit dhe në të gjitha kushtet atmosferike, sepse standardet e ndërtimit të tij janë moderne dhe janë të kualitetit të lartë, duke përfshirë edhe pjesët përcjellëse të këtij stadiumi siç janë zhveshtoret dhe pjesë të përcjellëse të tij”, duke thënë se sporti nuk është vetëm edukatë sportive, por edhe një ambasador i fuqishëm i Kosovës në botë./rajonipress/


