UBT

Mustafa: Kosova e pa luhatur në orientimin e saj evropian

/ 18 minuta lexim
Mobi Casa

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës që po zhvillon në Mbretërinë e Bashkuar, ka mbajtur një ligjëratë në Universitetin e Oxfordit, të organizuar nga Oxford Union.Para dhjetëra studentëve të pranishëm, siç bëhet e ditur në një njoftim, kryeministri Mustafa ka shpalosur rrugën e vështirë të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, formimin e shtetit, proceset aktuale që lidhen me zhvillimin ekonomik, integrimet evropiane dhe perspektivën e mëtejme të Kosovës.

“Kosova si një demokraci e re me 1.8 milionë banorë, ende përballet me sfida institucionale dhe zhvillimore. Përkundër vështirësive, Kosova asnjëherë nuk është luhatur në orientimin e saj drejt vlerave evropiane perëndimore. Kosovarët janë populli më proevropian në kontinentin tonë, por fatkeqësisht jemi të vetmit që nuk mund të udhëtojmë në Bashkimin Evropian pa viza. Ne kemi plotësuar trefishin e kritereve që i kanë plotësuar më parë fqinjët tanë dhe tani po presim një rekomandim pozitiv nga Bashkimi Evropian për futjen e Kosovës në Zonën e Bardhë Schengen”, ka thënë kryeministri.

Duke folur për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në reformat ekonomike, kryeministri Mustafa veçoi Strategjinë Kombëtare për Zhvillim e cila është e përqendruar në katër shtylla: kapitali njerëzor, sundimi i ligjit, infrastruktura dhe konkurrueshmëria.

Sipas kryeministrit, këto katër komponente janë shtyllat e zhvillimit ekonomik të Kosovës në pesë vitet e ardhshme.

Lidhur me proceset integruese evropiane, kryeministri Isa Mustafa tha se viti që shkoi ishte historik sa i përket marrëdhënieve të Kosovës me BE-në, duke iu referuar nënshkrimit të marrëveshjes së parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

“Qeveria e Kosovës zotohet se do të jetë një partner i denjë i BE-së për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, duke përfshirë edhe MSA-në. Ne tani ndodhemi në fazën finale të marrjes së rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave”, tha kryeministri Mustafa, duke shprehur mirënjohje për Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet tjera perëndimore për përkrahjen që po i japin Kosovës në të gjitha fushat.

Më pas, kryeministri Isa Mustafa i është përgjigjur pyetjeve të studentëve lidhur me zhvillimet aktuale politike në Kosovë, proceset zhvillimore, raporteve rajonale e të tjera.

Kryeministri Isa Mustafa, gjatë ditës së parë të vizitës në Londër, u takua edhe me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit të SHBA-ve për Çështje të Evropës dhe të Euroazisë, Hoyt Yee, nga i cili ka marrë përkrahje të fuqishme për Kosovën.

Gjithashtu, kryeministri Isa Mustafa ka takuar edhe presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Suma Chakrabarti, si dhe drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerim në Komisionin Evropian, Christian Danielsson.

Gjatë takimit me Danielsson, kryeministri Mustafa ka kërkuar përkrahje më të fuqishme të KE-së për Kosovën, me theks të posaçëm përmes marrjes së vendimit për rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke pas parasysh përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, në Universitetin e Oxfordit.

Të nderuar profesorë, studentë,

Anëtarë të stafit të Oxfordit,

Të nderuar mysafirë.

Të jem në një audiencë të tillë, me studentë dhe profesorë është gjithmonë një kënaqësi për mua. Është nder për mua sonte, që jam në një vend mik të Kosovës, siç është Mbretëria e Bashkuar dhe në një Universitet, të cilin gjithmonë e kam referencë, Universitetin e Oxfordit.

T’u them të drejtën, puna që më me dëshirë e bëj në jetë, është puna me studentë. Ata gjithmonë kanë qenë dhe janë, inspirim dhe motiv për punën time. Edhe angazhimi im në politikë për dekada ka qenë gjithmonë në shërbim të zhvillimit dhe përparimit të gjeneratave të reja. Rinia, arsimi cilësor, zhvillimi ekonomik, përmirësimi i standardit jetësor të qytetarëve, ka qenë gjithmonë prioritet i angazhimit tim në arsimin universitar dhe në politikë. Këtë prioritet e kam edhe sot, kur drejtoj Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Të nderuar studentë dhe profesorë,

Kam pasur rastin që gjatë karrierës time akademike dhe profesionale të jem i angazhuar si mësimdhënës universiteti dhe drejtues institucionesh publike. Për rreth 40 vjet, kam qenë Profesor i universitetit të vetëm publik, Universitetit të Prishtinës dhe kam punuar në Entin për Zhvillimin e Kosovës, një institucion ky që është marrë me politika zhvillimore. Atëbotë, me një grup intelektualësh në Prishtinë kemi vendosur themelet e zhvillimit ekonomik të vendit tonë.

Gjatë kësaj kohe ne nuk ishim të barabartë me republikat tjera të ish-Jugosllavisë, por megjithatë arritëm që të ndërtojmë disa institucione arsimore dhe publike që përmirësuan jetën e qytetarëve të Kosovës.

I gjithë ky kontribut i gjeneratave në Kosovë, u rrënua nga regjimi i diktatorit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq. Ky regjim në vitin 1989, na e hoqi autonominë me tanke, forcë dhe vrasje, na largoi ne shqiptarëve nga të gjitha institucionet publike, nga shkollat, universitetet etj.

Koha e aparteidit, siç e quajmë ne në Kosovë periudhën 1989-1999, periudhën e sundimit të Millosheviqit, është një nga kohërat më të vështira nëpër të cilat ka kaluar shteti ynë, Kosova.

Një grup i intelektualëve, nën drejtimin e Dr. Ibrahim Rugovës, krijuam partinë e parë demokratike në Ballkan, Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila ishte lëvizje gjithëpopullore që i rezistonte okupimit me mjete paqësore. Gjatë viteve të 90-ta, nën lidershipin e Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ne krijuam disa institucione bazike paralele të arsimit, shëndetësisë dhe në disa fusha tjera. Për të financuar sektorët bazik në Kosovë duheshin financa të cilat vinin nga diaspora jonë. Presidenti Rugova më zgjodhi ministër të Financave të Qeverisë në Ekzil, dhe me automatizëm u detyrova të shkoj në vendet e Bashkimit Evropian, pasi që regjimi i Millosheviqit lëshoi fletarrest ndaj meje dhe përfaqësuesve tjerë legjitim të popullit të Kosovës dhe na kërkonte vazhdimisht për të na arrestuar.

Gjatë 10 viteve ne kemi bërë përpjekje të vazhdueshme për të gjetur një zgjidhje politike për Kosovën, por kjo qe e pamundshme, sepse Serbia nuk pranonte që t’u japë asnjë të drejtë shqiptarëve të Kosovës, madje as të drejtën e shkollimit, dhe studentët tanë u detyruan që të ndjekin mësimet në shtëpi-shkolla të cilat vullnetarisht i lëshuan qytetarët.

Si rezultat i represionit 10 vjeçar, ne u detyruam që krahas rezistencës me mjete paqësore dhe organizimit paralel, të krijojmë edhe mekanizmat për mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës. Në këto rrethana u krijua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila kishte synim çlirimin e Kosovës. Millosheviqi u përgjigj me dhunë, sepse dhuna ishte mjeti i tij i vetëm i veprimit. Gjatë luftës 1998-1999 janë vrarë dhe zhdukur rreth 15 mijë qytetarë, janë dhunuar mbi 20 mijë gra shqiptare, janë rrënuar mbi 200 mijë objekte banimi, dhe janë shpërngulur jashtë Kosovës 1 milionë banorë ose 60% e popullatës. Paramendoni 60% e popullatës e shpërngulur i bie sikur në Britaninë e Madhe të kishte 36 milionë të shpërngulur dhe të deportuar jashtë vendit. Të gjitha këto pasoja ne i vuajmë edhe sot. U desh intervenimi i Aleancës Veri-Atlantike- NATO, për të ndalur terrorin në Kosovë dhe më 12 qershor 1999, Kosova u çlirua dhe u vendos një administratë e përkohshme e Kombeve të Bashkuara, që kishte për qëllim ndërtimin e institucioneve publike dhe rindërtimin e shtëpive të rrënuara nga lufta.

Kjo administratë ndërtoi institucionet më vitale të shtetit dhe më 2007 nisën negociatat për zgjidhjen e statusit të Kosovës. I dërguari i Kombeve të Bashkuara z. Martti Ahtisaari, propozoi pavarësi për Kosovën me të drejta shtesë për pakicat. Por, ky plan u hodh poshtë nga Serbia. Në koordinim me partnerët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe vendet e Bashkimit Evropian, më 17 shkurt 2008 Kosova shpalli pavarësinë, e cila deri tani është njohur nga 111 vende të botës. Kosova është sot anëtare e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e shumë organizatave ndërkombëtare dhe rajonale.

Një kontribut të jashtëzakonshëm për çlirimin e Kosovës, rindërtimin nga lufta, shpalljen e pavarësisë, sjelljen e njohjeve dhe projekteve zhvillimore për Kosovën e ka dhënë edhe Mbretëria e Bashkuar, për të cilën populli i Kosovës dhe Qeveria që unë drejtojë janë shumë falënderues.

Të nderuar studentë dhe profesorë,

Kosova si një demokraci e re me 1.8 milionë banorë, me një diasporë të fuqishme që sjellë qindra miliona euro remitenca çdo vit, ende përballet me sfida institucionale dhe zhvillimore. Përkundër vështirësive, Kosova asnjëherë nuk është luhatur në orientimin e saj drejt vlerave evropiane perëndimore. Kosovarët janë populli më proevropian në kontinentin tonë, por fatkeqësisht jemi të vetmit që nuk mund të udhëtojmë në Bashkimin Evropian pa viza. Ne kemi plotësuar trefishin e kritereve që i kanë plotësuar më parë fqinjët tanë dhe tani po presim një rekomandim pozitiv nga Bashkimi Evropian për futjen e Kosovës në Zonën e Bardhë Schengen.

Hidromorava

Qeveria që unë tani drejtoj, përbëhet nga dy partitë më të mëdha politike, LDK-PDK, dhe pakicat. Në qershor të vitit 2014, ne kishim zgjedhjet më të mira të mbajtura ndonjëherë, dhe kjo u vërtetua edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Rezultati i zgjedhjeve u pranua nga të gjitha partitë politike. Por, aritmetika zgjedhore si dhe nevoja për të përmbyllur një tranzicion të gjatë demokratik, na detyroi të ndërtojmë koalicionin e madh mes dy subjekteve kryesore dhe rivale politike, Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilën unë e drejtoj dhe Partisë Demokratike të Kosovës, të cilën e udhëheqë ish-kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaçi. Opozita në Kosovë e konteston vazhdimisht këtë bashkëqeverisje dhe shpesh përdor metoda jodemokratike që kanë për qëllim krijimin e kushteve për ardhjen e tyre në pushtet.

Sfida jonë kryesore me të cilën përballemi është shkalla e lartë e papunësisë. Në tregun e punës në Kosovë, çdo vit hyjnë rreth 30 mijë të rinj. Rritja ekonomike prej rreth 3% është e pamjaftueshme për të absorbuar një kontingjent kaq të madh të të rinjve punëkërkues.

Për këtë arsye, me përkrahjen e Zyrës së Komisionit Evropian, ne kemi lansuar Strategjinë Kombëtare për Zhvillim 2016-2021, e cila lidhet kryekëput me programin tonë qeverisës, për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të punës për të rinjtë tanë.

Synimi im afatmesëm është dyfishimi i rritjes ekonomike, ndërsa në një periudhë më të gjatë edhe trefishimi i saj.

Strategjia Kombëtare për Zhvillim është e përqendruar në katër shtylla: kapitali njerëzor, sundimi i ligjit, infrastruktura dhe konkurrueshmëria. Këto katër komponente ne besojmë se janë shtyllat e zhvillimit ekonomik të Kosovës në pesë vitet e ardhshme.

Po ashtu, Qeveria që unë drejtoj ka filluar përgatitjet për zbatimin e programit të investimeve të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (Millenium Challenge Corporation – MCC).

Vitin që shkoi, së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar jemi dakorduar dhe jemi duke e zbatuar një strukturim buxhetor, i bazuar në kursime, rritje të inkasimit dhe luftimit të ekonomisë joformale. Si rezultat i kësaj politike, në buxhetin e shtetit tonë vitin e kaluar janë inkasuar dhjetëra miliona euro më tepër, të cilat do të përdoren për zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin e standardit jetësor.

Të nderuar të pranishëm,

Vitin që shkoi ne kemi bërë një reformë fiskale e cila ka hyrë në fuqi më 1 shtator 2015. Tash kur jemi në muajin e gjashtë të kësaj reforme, po i vjelim rezultatet e saj, sepse kemi fuqizuar sektorin privat, si bartës i zhvillimit në të ardhmen dhe kemi ulur koston e jetesës për familjet e varfra, sepse është ulur në 8% TVSH për produktet bazike.

Në Qeveri jemi të vetëdijshëm se lufta kundër papunësisë nuk është e lehtë dhe rezultatet nuk do të jenë të shpejta. Për këtë arsye ne kemi identifikuar sektorin e bujqësisë si potencial i madh për rritjen e prodhimit vendor dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Gjatë vitit 2015 kemi shpenzuar 50 milionë euro grante dhe subvencione për sektorin e bujqësisë dhe gjatë vitit 2016 do të rritet shuma e mjeteve të investuara.

Ne ndodhemi në fazën finale të dhënies me koncesion të Kompleksit “Brezovica”, një nga potencialet më të mëdha turistike që ka Kosova, si qendër e turizmit veror dhe dimëror një investitori francez dhe ndodhemi në fazën finale të kontraktimit të ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”. Jetësimi i këtyre projekteve do të thotë rreth 3 miliardë euro investime direkte dhe indirekte dhe mijëra vende pune.

Ne i kemi proceduar Parlamentit Ligjin për Investime Strategjike. Ky Ligj i krijon mundësi Qeverisë që të negociojë drejtpërdrejt me investitorë strategjikë, për të cilët Kosova ka shumë nevojë. Ligji parasheh përparësi për ata investitorë që sjellin më shumë fonde, krijojnë vende pune dhe bëjnë transferin e teknologjisë.

Unë shfrytëzoj rastin që t’i ftojë investitorët nga Mbretëria e Bashkuar që të shfrytëzojnë mundësitë e mëdha zhvillimore që i ka Kosova, sidomos në fushën e energjisë, minierave, turizmit, bujqësisë, teknologjisë informative etj, për të ardhur dhe për të investuar në Kosovë. I garantoj investitorët se do të kenë përkrahjen e plotë të Qeverisë, por edhe të qytetarëve, të cilët kanë respekt të jashtëzakonshëm për kombin tuaj.

Në të njëjtën kohë, dua të shfrytëzoj edhe këtë rast të siguroj të gjithë se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për të mos toleruar mbisundimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ashtu sikurse, jam i bindur që qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës do t’i mundin tendencat e infiltrimit të rrymave radikaliste, ekstremiste dhe terroriste, të cilat synojnë ta rrënojnë tolerancën dhe bashkëjetesën tonë tradicionale.

Të nderuar studentë dhe profesorë,

Viti që shkoi ishte historik sa i përket marrëdhënieve të Kosovës me BE-në, pasi që kemi nënshkruar marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Qeveria e Kosovës zotohet se do të jetë një partner i denjë i BE-së për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve duke përfshirë edhe MSA-në.

Ne tani ndodhemi në fazën finale të marrjes së rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave. E falënderoj Zyrën e BE-së në Kosovë dhe vendet anëtare, për bashkëpunimin që kemi pasur në plotësimin e rekomandimeve për vizat. Kosova ka arritur që ta ulë gati në zero emigrimin ilegal dhe ka zbatuar të gjitha kriteret e përcaktuara. Qeveria e mirëpret Rezolutën e fundit të Parlamentit Evropian për Kosovën dhe zotohet se të gjitha rekomandimet do të jenë pjesë e programit qeverisës, por kërkoj gjithashtu që edhe vendet anëtare të BE-së, t’i marrin në konsideratë këto rekomandime, sidomos për procesin e liberalizimit të vizave dhe njohjet e reja për shtetin e Kosovës.

Kosova është njohur nga shumica e vendeve të BE-së, me përjashtim të Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Greqisë dhe Qipros. Këto vende, edhe pse nuk na kanë njohur, ato nuk e kanë bllokuar perspektivën evropiane të Kosovës, sepse kanë pranuar përfshirjen e vendit tonë në iniciativat rajonale dhe evropiane. Konform Rezolutës së fundit të Parlamentit Evropian, kërkoj që këto pesë vende të njohin shtetin e Kosovës dhe të hapin perspektivën integruese të saj.

Kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës gjithmonë kanë pretenduar se shteti ynë do të krijojë destabilitet në rajon dhe më gjerë si dhe shpërngulje masive të pakicave. Nuk ndodhi as njëra dhe as tjetra. Sa i përket pakicave, sipas Planit të Presidentit Ahtisaari, që është integruar plotësisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, komunitetet në Kosovë gëzojnë të drejta të garantuara në Kushtetutë më shumë se në çdo vend tjetër të Evropës. Në Kuvendin e Kosovës, pakicat përfaqësohen me 20 deputetë, nga gjithsejtë 120 ulëse sa ka Kuvendi i Kosovës dhe drejtojnë ministri me rëndësi në kabinetin tim qeveritar.

Sa i përket politikave rajonale ne kemi raporte shumë të ngushta me të gjitha vendet e rajonit dhe tani jemi në proces të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, nëpërmes procesit të bisedimeve në Bruksel, të ndërmjetësuara nga Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini. Qytetarët e Kosovës dhe Serbisë lëvizin me letërnjoftime në shtetet respektive dhe kemi disa marrëveshje që janë në zbatim e sipër. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve është i lidhur kryekëput me avancimin tonë drejt anëtarësimit në BE, pasi që Evropa nuk pranon në gjirin e saj shtete problematike dhe me çështje të pazgjidhura.

Serbia ende nuk ka heqë dorë nga pretendimet territoriale ndaj fqinjëve, sepse po bllokon anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, siç është UNESCO. Politika e bllokimit të fqinjëve nuk i takon frymës evropiane, dhe është në kundërshtim të plotë me bisedimet e Brukselit.

Sa i përket rolit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, ne jemi pjesë e koalicionit global kundër terrorizmit, kemi miratuar Ligjin kundër pjesëmarrjes së qytetarëve tanë në luftëra të huaja, ndërsa institucionet tona të rendit dhe drejtësisë kanë kryer arrestime dhe kanë ngritur aktakuza kundër personave që kanë lidhje me ekstremizmin. Ashtu siç e ka thënë edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, z. John Kerry “Kosova është lidere në rajon për luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit”.

Shumica e popullatës në Kosovë është myslimane, të cilët jetojnë në paqe me qytetarët e tjerë të besimit katolik dhe ortodoks. Ne nuk kemi pasur dhe nuk kemi konflikt ndërfetar në Kosovë. Kosova është shembull i tolerancës ndërfetare. Shumica e qytetarëve të Republikës së Kosovës i përkasin besimit islam, por islami ynë është tradicional dhe nuk e pranon ekstremizmin e dhunshëm.

Të nderuar studentë dhe profesorë,

Shfrytëzoj rastin që t’ju ftoj për bashkëpunim me universitetet e Kosovës nëpërmes programeve Exchange. Ne jemi një vend i vogël, me popullatën më të re në Evropë dhe shumë miqësor ndaj vlerave perëndimore. Ne kemi një histori interesante, kemi resurse të mëdha humane dhe natyrore, që na bëjnë një vend atraktiv për studiuesit nga mbarë bota.

Se sa jeni të sigurt në Kosovë dua t’ju japë një statistikë interesante. Në 16 vitet e fundit në Kosovë nuk është regjistruar nga policia asnjë ekses, as më i vogli, që i ka ndodhur ndonjë të huaji në vendin tonë. Mikpritja është traditë shekullore në vendin tim, prandaj ju ftoj që të na vizitoni në rastin e parë që mundeni. /Telegrafi/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.