FIDANISHTJA

Fushatë e orkestruar për demonizimin e Hashim Thaçit

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Ismail Syla – Cili është efekti i këtyre sulmeve? Asgjësimi i figurës, i emrit dhe integritetit të personit me ndikim prej çerek shekulli në rrjedhat e politikës së Kosovës. Asgjësimi i njeriut që deshëm apo nuk deshëm është ndër etërit kryesor të themelimit të shtetit të Kosovës…

Sa më shumë po afrohet data e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, aq më shumë po rritet intensiteti i fushatës kundër kandidatit potencial, Hashim Thaçit.

Politikanë, deputetë, ish gazetarë e publicistë që kanë qëndrim politik kundër tij të shoqëruar edhe me ngarkesë emocionale, kanë gjetur momentin që ta satanizojnë njërën nga figurat më të fuqishme të skenës politike.

Kështu, ata godasin përditë, me sistem, pareshtur, për ta arritur efektin e kontestimit të figurës së tij. Shërbehen me tërë mbeturinat njollosëse që ka vënë në përdorim Beogradi zyrtar me shërbimet e tij që në kohën kur Hashim Thaçin e dënonte në moshë fare të re, në mungesë, me dhjetë vjet burg si “terrorist” së bashku me Adem Jasharin dhe bashkëluftëtarët e tij në fillim të viteve të nëntëdhjeta, e deri te shpifjet monstruoze për trafikim organesh gjoja dhe në shtetet afrikane.

Të tillët po ashtu shërbehen dhe besojnë në raportin e zviceranit shpirtkëllirë Dick Marti dhe në raporte të ngjashme shërbimesh antishqiptare, dhe për fat të keq, këtyre shpifjeve kanë vullnet t’u besojnë vetë dhe ia servirin edhe publikut të gjerë për t’i besuar.

Kjo lukuni kundërshtarësh defilon nga një studio në studion tjetër, nga një emision në emisionin tjetër, nga një tryezë në tryezën tjetër me një mision, një harmonizim kursi dhe diskursi:

Si të satanizohet, si të demonizohet sa më shumë Hashim Thaçi?

Si të paraqitet si e keqja më e madhe që ka pasur ndonjëherë Kosova?

Si të paraqitet si njeriu që jo vetëm se nuk përfaqëson unitetin e qytetarëve të Kosovës, por është njeriu më i kriminalizuar dhe më i rrezikshëm që ka pasur ndonjëherë Kosova?

Kjo psikologji tejkalon çdo gjë normale dhe hyn në rrafshin e luksit të zi të krijimit të opinionit publik edhe në shoqërinë ku mendimi i lirë nuk njeh kufij e konvenca, ku nuk njeh moral dhe as kod profesionalizmi.

Në kuadër të kësaj fushate monstruoze të njollosjes së kandidatit për president të vendit përpiqet të plasohet profili i tij politik si ai i përfundimit të figurave të ish Jugosllavisë.

Ata thirren në zëra me potencë të pakufishme urrejtjeje kundër tij.

Ata janë të gatshëm dhe me vullnet të plotë të besojnë në burimet serbe të etiketimit të tij si kontrollues të lloj-lloj trafiqesh, si njeri gjoja i shërbimeve të huaja perëndimore në dëm të çështjes së Kosovës.

Nga intervistat dhe deklaratat e Hashim Thaçit, ata citojnë fragmente të shkëputura, jashtë kontekstit, për figura politike, për ngjarje dhe dukuri tjera të Kosovës së para dhe pas luftës.

FIDANISHTJA

Vërtet, edhe regjisorët me imagjinatë të zhvilluar poetike do të habiteshin me fuqinë “kreative” të analistëve, politikanëve dhe deputetëve të tillë.

Cili është efekti i këtyre sulmeve?

Asgjësimi i figurës, i emrit dhe integritetit të personit me ndikim prej çerek shekulli në rrjedhat e politikës së Kosovës.

Asgjësimi i njeriut që deshëm apo nuk deshëm është ndër etërit kryesor të themelimit të shtetit të Kosovës.

Qarqet më të egra antishqiptare në Beograd dhe gjetiu duhet të jenë më shumë se të kënaqura nga ky tip fushate.

Për çudinë më të madhe, por edhe si shprehje e një tipari të shoqërisë sonë, si shoqëri e paradokseve, kundër Hashim Thaçit janë ngritur edhe një pjesë e njerëzve që kanë pothuajse të njëjtën rrugë politike dhe filozofi formimi.

Në një klimë të tillë shpifjeje denigrimi dhe njollosjeje kur përfshihen të tillët atëherë çka të pritet nga ato segmente të shoqërisë kosovare ku ende është e gjallë fryma jugosllave?

Këta të fundit vetëm sa i fërkojnë duart dhe janë jashtëzakonisht të disponuar, sepse kjo klimë ku minohet dhe kontaminohet çdo vlerë është satisfaksioni i tyre më i madh që nga koha kur Kosovën e drejton ai element patriotik që ka bërë shumë për lirinë dhe çlirimin e saj.

Kandidatura dhe zgjedhja e Hashim Thaçit president, kështu po bëhet një test i shoqërisë kosovare.

U vu në lëvizje lukunia e anonimëve e personazheve periferike e mediokërve e nën mesatarëve të cilët e kanë zeje njollosjen dhe janë të vetëdijshëm se mund t’ia hanë kokën liderëve të mëdhenj, por kurrë nuk mund ta kompensojnë vendin e tyre.

Nëse për ta ilustruar idenë na ndihmon trashëgimia e urtisë popullore, e mbledhur me aq kujdes nga Anton Çetta, atëherë fjala e urtë se gardhi i ulët e shpërthen atin, se pse nga i larti di si të ruhet, atëherë nënkuptojmë deri në fund se njerëzit e vegjël (shpirtngushtë, mediokër tufa e lukunisë së njerëzve periferikë dhe të dështuar) bëhen bashkë dhe janë të lumtur kur rrëzojnë, përmbysin, linçojnë njerëzit e përmasave të mëdha kombëtare, gjenitë, liderët, prijësit etj.

Thënë me simbole kjo dukuri e liderit dhe lukunisë është metaforë e lisit dhe shkurreve.

Edhe kur bie lisi me gjithë hije, kot gëzohet shkurrja, ajo ka rrënjë shkurreje, ka emrin shkurre degë e gjethe shkurreje./express/