Përgjysmohen investimet e huaja
Investimet e huaja direkte në Kosovë gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti janë përgjysmuar në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Në raportin e stabilitetit financiar të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), thuhet se vlera e Investimeve të Huaja Direkte (IHD) të pranuara në Kosovë deri në qershor 2016, rezulton të jetë përgjysmuar në 84.8 milionë euro, nga 161.7 milionë euro sa ishte në qershor të vitit paraprak.
“Në kuadër të strukturës së IHD-ve, me zvogëlim të vlerës u karakterizuan të dy format e IHD-ve, kapitali dhe fondi i investimeve në aksione si dhe investimet në instrumentet e borxhit. Kapitali dhe fondi i investimeve në aksione, që përbën rreth 74.1 për qind të gjithsej IHD-ve, shënoi vlerën 62.8 milionë euro që është për 45.6 për qind më e ulët krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Gjithashtu, IHD-të në formë të instrumenteve të borxhit, shënuan vlerën prej 22.0 milionë euro, që janë për 52.5 për qind më të ulëta krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, thuhet në raportin e stabilitetit financiar të BQK-së.
Aty më tej thuhet se zvogëlimi i IHD-ve në Kosovë u evidentua sidomos në sektorin e patundshmërive, në sektorin e ndërtimit dhe në sektorin e shërbimeve financiare.
“Në anën tjetër, sektorët e ekonomisë që u karakterizuan me rritje të IHD-ve ishin sektori i shërbimeve tregtare dhe sektori i bujqësisë. Sa i përket origjinës së IHD-ve, Zvicra paraqet vendin prej nga kanë ardhur më së shumti IHD deri në qershor të vitit 2016 (26.0 milionë euro), pasuar nga Turqia me 17.8 milionë euro, Shqipëria me 17.4 milionë euro, Austria me 11.3 milionë euro, etj”, thuhet më tej në raportin e BQK-së.
Të hyrat u rritën për 14 për qind
Më tej, në raportin e stabilitetit financiar të BQK-së, thuhet se të hyrat buxhetore deri në qershor 2016 arritën vlerën bruto prej 756.2 milionë euro. Nëse zbriten 19.5 milionë euro kthim të TVSH-së dhe tatimeve tjera nga Dogana e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës, atëherë të hyrat buxhetore shënuan vlerën neto prej 736.7 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 14 për qind.
“Në të njëjtën periudhë, shpenzimet buxhetore arritën vlerën prej 716.4 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 7.4 për qind. Rrjedhimisht, gjatë kësaj periudhe, buxheti i Kosovës regjistroi bilanc pozitiv buxhetor prej rreth 20.3 milionë euro, krahasuar me bilancin negativ buxhetor prej rreth 21.1 milionë euro të shënuar deri në qershor të vitit 2015. Borxhi publik, në qershor të vitit 2016, ka arritur në 821.9 milionë euro që është për 26.6 për qind më i lartë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ndërsa si përqindje e PBB-së ka arritur në 13.8 për qind nga 11.2 për qind sa ishte në qershor 2015. Deri në qershor të vitit 2016, sektori i jashtëm u karakterizua me përkeqësim të deficitit të llogarisë rrjedhëse dhe kapitale. Deficiti i llogarisë rrjedhëse dhe kapitale arriti vlerën prej 327 milionë euro, një rritje prej 57.6 për qind krahasuar me vitin paraprak, kryesisht si pasojë e rritjes së deficitit në llogarinë e mallrave dhe rënies së shënuar në bilancin pozitiv të llogarive te të ardhurave parësore dhe dytësore. Në anën tjetër, bilanci pozitiv në llogarinë e shërbimeve shënoi rritje”, thuhet në raportin e stabilitetit financiar të BQK-së.
Deficiti tregtar, 1,1 miliard euro
Më tej, në raportin e stabilitetit financiar të BQK-së thuhet se deficiti tregtar i mallrave arriti vlerën prej 1.1 miliard euro në qershor 2016, që paraqet një rritje vjetore prej 10.4 për qind. “Gjithsej, eksporti i mallrave deri në qershor 2016 arriti vlerën 152.4 milionë euro, një rënie vjetore prej 5.6 për qind. Rënia e vlerës së eksportit të mallrave gjatë kësaj periudhe kryesisht i atribuohet rënies së eksporteve të metaleve bazë, që njëherësh kanë edhe pjesëmarrjen më të lartë në strukturën e gjithsej eksporteve të vendit”, thuhet në raportin e BQK-së.
Më tej, aty thuhet se rënia e vlerës së gjithsej eksporteve të metaleve bazë u zvogëlua kryesisht si pasojë e rënies së prodhimit të nikelit në ekonominë e vendit, si dhe rënies së çmimit të metaleve në tregjet ndërkombëtare gjatë kësaj periudhe.
“Me rënie u karakterizuan edhe eksportet e tekstilit dhe artikujve të tekstilit, si dhe eksportet e makinerive dhe pajisjeve elektrike. Në anën tjetër, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016, eksportet e produkteve minerale shënuan rritje, kryesisht si rezultat i rritjes së vlerës së eksportit të energjisë elektrike. Gjithashtu, eksportet e produkteve të plastikës dhe gomës, si dhe eksportet e produkteve të lëkurës shënuan rritje në periudhën raportuese”, thuhet në raport.
Në anën tjetër, vlera e gjithsej mallrave të importuara deri në qershor 2016 arriti në 1.3 miliard euro, një rritje vjetore prej 8.3 për qind. Në kuadër të importit të mallrave, me rritje u karakterizua importi i metaleve bazë, importi i makinerive dhe i pajisjeve mekanike dhe elektrike, importi i mjeteve të transportit si dhe importi i produkteve ushqimore.
“Rënia e vlerës së eksporteve dhe rritja e vlerës së mallrave të importuara rezultoi në zvogëlim të shkallës së mbulueshmërisë së importeve me eksporte në 11.7 për qind në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016”, thuhet në raportin e BQK-së.


