Mobi Casa

Muri i tensioneve

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Nga Burim Ramadani – Muri duhet të largohet. Por, nuk është pengesa e fundit. Ndarja midis shtetit të Kosovës dhe komunitetit serb është duke u thelluar. Ky është problemi që kërkon zgjidhje!

Do të ketë edhe mure tjera. Nuk është ky i fundit si pengesë e vendosur në raportet midis shtetit të Kosovës dhe komunitetit serb. Në veçanti, mes institucioneve qendrore republikane dhe politikanëve e grupeve joformale në komunat veriore të Kosovës.

Ky duhet të jetë qartësimi elementar për udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. Sepse, muri i fundit i ndërtuar pak mbi urën e Ibrit nuk është as i fundit dhe nuk paraqet krejt kapacitetin refuzues të grupeve politike e joformale të serbëve në atë pjesë të Kosovës.

Kur kësaj i shtohet edhe roli i vazhdueshëm i Serbisë në raport me Kosovën, normalisht se pamja bëhet më e plotë dhe kjo pamje dëshmon për vazhdimin e problemeve në terren, sikurse edhe problemeve konceptuale, diplomatike dhe të bashkëjetesës.

E tëra që duhet larguar si mundësi apo si opsion është dhuna. Përkaësisht, institucionet e Kosovës dhe udhëheqësit e tyre duhet të jenë të qartë në vendimmarrje institucionale dhe kombëtare: problemet e vazhdueshme me serbët e Kosovës nuk duhet të kthehen në kërcënues të sigurisë kombëtare, nuk duhet të kthehen në moment eskalimi të dhunës.

Muri duhet të largohet. Këtu nuk ka dhe as nuk duhet të ketë dilema institucionale, politike dhe publike. Njëjtë, edhe “muret” tjera që do të vazhdojnë të ndërtohen, përkatësisht të vendosen si pika ndarjeje.

Por, ky mur nuk është pengesa e fundit. Ndarja midis shtetit të Kosovës dhe komunitetit serb është duke u thelluar. Ky është problemi që kërkon zgjidhje!

Uji Dea

E tërë situata është e komplikuar në të paktën tri nivele të analizës.

Së pari, shteti i Kosovës assesi nuk po arrin të ndërtojë një sistem me besueshmëri të lartë publike dhe të qëndrueshme, për të cilën do të mund të ndërtohej gradualisht lojaliteti publik dhe qytetar. Realizimi i plotë i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, i avancimit profesional të qëndrueshëm, i zhvillimit ekonomik dhe qartësia në perspektivën individuale e kolektive janë tema bosht që do të mund të ndihmonin në atë që cilësohet si “dhënie e shembullit” se sa mirë është të jetohet në Kosovë, si shtet i pavarur dhe demokratik.

Së dyti, raportet rajonale dhe sidomos midis Kosovës dhe Serbisë nuk kanë avancuar në nivelin që do të mund të ndikonte tek serbët e Kosovës që të njohin jetën institucionale në mënyrë të plotë. Përkatësisht, sa më shumë që Serbia investon në politikat mosnjohëse të Kosovës aq më shumë do të ndikojë në mbajtjen gjallë të shpresës së grupeve politike e joformale të serbëve të këtushëm se “një ditë Serbia do të kthehet këtu”.

Së treti, përhapja me hapa të mëdhenj të ndikimit të Rusisë në Ballkan, sikurse edhe në Perëndim, ka filluar të ndjellë një ndjenjë frike dhe paqartësie të dukshme në shtetet ballkanike, përfshirë këtu edhe Kosovën. Kjo, normalisht, ndikon direkt në lëkundje të besimit publik se çështja e Kosovës është çështje e përfunduar. Realisht, ky duket të jetë një prej qëllimeve kryesore të ofansivës së inteligjencës ruse në Ballkan. Sepse, Kosova si “çështje e përfunduar” e dobëson Rusinë dhe forcon Perëndimin. Dhe, synimi rus duket të jetë saktësisht i kundërt.

Prandaj, në tërësi, maturia dhe vendosmëria duhet të paraqesin pikënisjen elementare të institucioneve dhe publikut në Kosovë. Duhet qartësuar mënyra e veprimit institucional dhe kjo të mos mbetet vetëm në “procesin e Brukselit”, por gjithsesi të mos përjashtojë atë.

Kosova rrezikon të përballet me thellim dhe përkeqësim të ndarjes ndër-etnike. Bojkoti politik i serbëve të Kosovës në institucionet qëndrore veç ka filluar të jep efekte të reja “murosëse”.