ARKATANA

Gjilani shpërndan mekanizim për 70 fermerë

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria e Bujqësisë, ua ka shpërndarë sot fermerëve 70 mjete të punës (mekanizim bujqësor), të cilat do t’ua lehtësojnë shumë punimin e tokës.

Në shpërndarjen e mekanizimit, ka marrë pjesë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe drejtori I Bujqësisë, Ramiz Ramadani.

“Heroi më i madh i komunës sonë është ai që e punon tokën. Ajo familje që e punon tokën, është familja më e pavarur që e ka sot Kosova. Duke e punuar tokën, njeriu tregon sa e do familjen, sa e do Komunën dhe sa e do shtetin e tij. Do të vazhdojmë t’ju mbështesim edhe në të ardhmen edhe mekanizëm bujqësor për ta bërë punën më të lehtë, edhe me fond të blegtorisë”, ka thënë me këtë rast i pari i gjilanasve, Lutfi Haziri.

Ai ka paralajmëruar se për vitin e ardhshëm do të këtë rritje të buxhetit për bujqësisë, në mënyrë që të forcohet sa më shumë familja gjilanase.

Uji Dea

“Për vitin e ardhshëm do ta rrisim buxhetin për bujqësinë sepse pare më hallall se të japim për bujqësinë, nuk ka. Po paralajmëroj se edhe në vitin e ardhshëm edhe duhanin do ta stimulojmë si kulturë në Gjilan, që Gjilani ka traditë. Poashtu, vitin e ardhshëm do ta rrisim edhe fondin për partnerët dhe fondin e brendshëm në mënyrë që t’ua ulim shpenzimet deri në zero dhe ju ato para t’i shpenzoni për të mirat në familje. Do ta keni mbështetjen time deri në fund”, është shprehur kryetari Haziri.

Nga ana e tij, drejtori i Bujqësisë së Gjilanit, Ramiz Ramadani, ka nënvizuar se sot kanë përfituar 70 bujqit më meritor të Gjilanit, derisa ka paralajmëruar se Komuna ka aplikuar në një organizatë edhe për 70n të tjera.
“Me qëllim të rritjes së rendimentit dhe efikasitetit në punë, me qëllim të punimit të çdo pëllëmbe të tokës, si Drejtori e Bujqësisë i kemi bërë një varg aktivitetesh të cilat kemi vlerësuar se janë të domosdoshme për ta ndryshuar gjendjen, siç është subvendionimi i mbjelljeve pranverore dhe vjeshtore që e kemi bërë në vazhdimësi, i kemi trajtuar mbi 30 kilometra rrugë të arave dhe tash mendoj se gjendja më e rëndë që e kemi konstatuar është mungesa e mekanizimit. Sot po përfitojnë 70 bujqit më meritorë si dhe edhe për 70 të tjerë kemi aplikuar në “Tika” turke. Uroj që të keni rezultatet më të mira”, tha drejtori Ramadani.

Përndryshe, nga mjetet e shpërndara sot, 30 janë spërkatëse 440 litërshe, 10 rotofreza, 10 kositëse rotative, 10 grumbulluese të sanës dhe 10 pijatore me 24 disqe./rajonipress/