Sinani prezantoi para qytetarëve punën e bërë në vitin 2015
Kamenicë – Begzad Sinani foli edhe për shkurtimet e mëdha buxhetore në kategorinë e derivateve, drekave zyrtare, telefonisë dhe shpenzimeve të tjera. Shpenzimet për këto kategori sipas tij janë reduktuar në masën 50%, çka dëshmon se kjo nuk është qeverisje e luksit.
Sot në Shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati” u mbajt debati i dytë publik me qytetarët për këtë vit.
Në fjalën hyrëse Sinani theksoi se Komuna e Kamenicës, përkundër investimeve të shumta që ka bërë deri më tani, qoftë nga investimet vetanake dhe nga investitorë ndërkombëtarë, ende ballafaqohet me nevoja të shumta për investime, siç janë rrjeti i ujësjellësit, rrjeti i kanalizimit, asfaltimi i rrugëve, ndriçimi publik etj., por këto nuk janë fushat e vetme ku komuna ka fokus të investimeve, ashtu siç edhe kemi premtuar ne vazhdojmë të jemi sa më afër qytetarëve duke i shqyrtuar dhe realizuar kërkesat e tyre.
Më pastaj u prezantuan shumica nga projektet e realizuara gjatë këtij viti, në fushën e infrastrukturës, siç janë asfaltimet e rrugëve, kanalizimet, ujësjellësit dhe projekte të tjera. Ndër to më kapitalet llogariten Rruga Hogosht – Lisockë – Kufi dhe Shkolla e Roganës.
Begzad Sinani foli edhe për shkurtimet e mëdha buxhetore në kategorinë e derivateve, drekave zyrtare, telefonisë dhe shpenzimeve të tjera. Shpenzimet për këto kategori janë reduktuar në masën 50%, çka dëshmon se kjo nuk është qeverisje e luksit.
Pjesa e dytë e debatit publik ishte e rezervuar për qytetarët dhe shqetësimet e tyre. Ndër kërkesat kryesore të parashtruara ishin ato për rregullimin e shtratit të përroit në Lagjen Malësia, ujësjellësi në Çamëri, Ujësjellësi në Shipashnicë të ulët, Meremetimi i rrugës së dëmtuar nga vërshimet në Krilevë, rruga në fshatin Dazhnicë, rruga dhe ndriçimi në Lagjen e re në Roganë, kërkesat për mbështetje për klubet sportive dhe në veçanti për riaktivizimin e klubit të futbollit në qytet etj.
Sinani ka premtuar se secila kërkesë do të trajtohet seriozisht nga institucionet komunale dhe do të bëhet zgjidhje për to.
Ai ka falënderuar të gjithë qytetarët që me vërejtje, sugjerime e kritika e kanë ndihmuar qeverisjen komunale që të jetë sa më efikase./rajonipress/


