Bashkim Nexhipi kreu i Task Forcës për kulturë premton zhvillime pozitive në këtë fushë
Gjilan – Bashkim Nexhipi aktor me një përvojë mbi 17 vjeçare, realizues i më shumë se 56 projekteve është vendosur në krye të Task Forcës për kulturë, rini e sport. Nexhipi thotë se do ta ngjallë jetën kulturore, sportive e rinore në Gjilan.
Kjo Task Forcë sipas Lutfi Hazirit pritet të merret drejtpërdrejt me dekoncentrimin e kulturës, rinisë dhe sporteve, me kalendar kulturor, me repertuar dhe me të gjitha nevojat që ka në zbatim të vendim të Kuvendit Komunal kurse Bashkim Nexhipi do të merret me koordinimin e të gjitha aktiviteteve kulturore në shërbim të organizimit mes zyrës së kryetarit.
Bashkim Nexhipi tashmë ka pranuar këtë detyrë dhe ka nisur punën me shumë entuziazëm e përkushtim. Thotë se jeta kulturore, sportive e rinore do të duket krejt ndryshe në muajt në vijim.
Nexhipi për rajonipress thotë se ka një strategji dhe një projekt shumë ambicioz për të ngjallur jetën kulturore në Gjilan.”Do të mundohem me ngjall kulturën, teatrin, jetën rinore e sportive. Do të përkrahim të gjitha klubet e ansamblet dhe normalisht që do të jemi në shërbim të talenteve të rinj. Mbi të gjitha jemi në rrugë të mbarë që ta zgjidhim problemin e teatrit”.
Ndërsa si risi të punës së tij dhe agjendës programore Nexhipi përmend Manifestimin e Flakës së Janarit për të cilën thotë se do të ketë krejt tretman tjetër. “Ky manifestim meriton një vëmendje dhe një organizim më dinjitoz. Do të ketë emra të ftuar nga estrada kosovare, njerëz me ndikim nga fusha e artit, skenës muzikore, do të organizojmë Festivalin e filmit dhe të fotografisë që janë risi”.
Nexhipi e ka të qartë se buxheti i kufizuar do të ndikojë edhe në kualitetin e të gjitha manifestimeve për çka thotë se do të angazhohet që politika buxhetore të dyfishohet në favor të jetës kulturore në qytet.”Kultura do investime serioze dhe konkrete. Asgjë nuk mund të zhvillohet në kulturë pa përkrahjen financiare”.
Nexhipi tha se për natën e Viti të Ri është paraparë një program shumë i pasur me njerëz të zgjedhur nga fusha e estradës dhe në veçanti me ansamblet gjilanase që janë aktive dhe që kanë treguar kualitete e kanë marrë çmime në festivale të ndryshme kombëtare.
Ndryshe, Bashkim Nexhipi është aktor profesionist me një përvojë mbi 17 vjeçare, realizues i më shumë se 56 projekteve si dhe ka udhëhequr mbi 12 vite qendrën “Laboratorium”. /rajonipress/


