Opozita e varros Zajednicën edhe në Gjilan
Gjilan – Tri partitë opozitare në tubimin e tyre të mbajtur në Gjilan kundër Zajednicës e Demarkacionit fuqishëm i kanë kundërshtuar këto marrëveshje duke i vlerësuar si të dëmshme dhe të rrezikshme për Kosovën. Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj e Visar Ymeri thanë se nuk ka asnjë çmim që mund t`i ndalojë ata për të penguar Serbinë që të jetë hisedare në Kosovë.
Të shtunën në sheshin “Agim Ramadani” tri partitë opozitare para aktivistëve të tyre edhe njëherë kundërshtuan dy marrëveshjet e Zajednicës dhe të demarkacionit.
Fatmir Limaj tha se Kosova e përgjumur po ngjallet dhe Kosova po bëhet më aktive. “Kjo Kosova aktive po përkrahet nga qytetarët e të gjitha shtresave dhe mos lejoni që e ardhmja e juaj të vritet. Jemi kundër Serbisë në Kosovë” tha Limaj.
Edhe Ramush Haradinaj tha se Gjilani e Anamorava kanë ditur gjithmonë të jenë kundër marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën.”Pushteti po donë me kthye Serbinë në Kosovë përmes këtyre marrëveshjeve. Po arrestohen deputetët e po frikësohen qytetarët. Por ky pushtet e kjo qeveri duhet ta dijë një herë e mirë se për Kosovën nuk mund të vendos Serbia” tha Haradinaj.
Kurse Visar Ymeri tha se Isa dhe Hashimi si zaptues të shtetit po e pengojnë qytetarin për të kundërshtuar këto marrëveshje.”Këta kryepolic flasin vetëm me policinë të cilët po na arrestojnë, po na thyejnë dyer e zyre, duke e frikësuar qytetarin. Por ne nuk do të heshtim sepse Kosova nuk mund të ketë brenda Zajednicën” tha Ymeri.
Në këtë tubim të opozitës kanë folur edhe Ismajl Kurteshi, Rexhep Kadriu e Bajram Hasani. Protesta ka kaluar e qetë./rajonipress/


