Eko Higjiena

Fundviti i zhvatjeve masive

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Opozita dhe ekspertët paralajmërojnë furtunë buxhetore. Shumë miliona “trafikohen” e zhvaten përmes duarve të shumë zyrtarëve të korruptuar.

“Në kushtet kur koalicioni qeverisës nuk e ka ndonjë mbikëqyrje dhe nuk e ka ndonjë kundërshtar politik, që i rri më afër për t’ia përmendur së pakut ato shkelje e zhvatje, shumë më lirshëm ata njerëz i kryejnë edhe ato punë”, tha Haki Shatri për “Kosova Sot”

Uji Dea

Dështimi i kësaj Qeverie në realizimin e shumë projekteve të parapara për këtë vit kalendarik dhe pritja reale e mbetjes në suficit buxhetor, në një situatë kur edhe opozita është përjashtuar nga Kuvendi i Kosovës dhe me këtë është e privuar nga mundësia e mbikëqyrjes së shpenzimit të parasë publike, sipas opozitarëve dhe ekspertëve të financave krijon mundësi për vjedhje dhe shpërdorim buxhetor në fundvit.

Deputeti i subjektit politik Nisma për Kosovën, Zafir Berisha tha se vetë praktika e qeverisjes së kaluar dhe raportet e auditimit të vitit 2014, por edhe më të hershme, kanë dëshmuar me fakte se sa alarmante është vjedhja me letra dhe projekte fiktive e buxhetit të pashpenzuar në fund të vitit kalendarik nga qeveritarët në pushtet. “Kjo është vështirë e kontrollueshme tani për tani, por që është e sigurt që raportet e auditimit profesional në të ardhmen e afërt do ta konstatojnë edhe këtë, pavarësisht që efektet e këtyre raporteve asnjëherë nuk kanë prodhuar dhe nuk presim të prodhojnë sanksione ndëshkimore,” tha Berisha./kosova sot/