Admir Mehmedi sikurse Del Piero e Inzaghi
Në çdo ndeshje nga një gol. Ky është bilanci i sulmuesit të Bayer Leverkusenit, Admir Mehmedi, këtë edicion në Ligën e Kampionëve.Mehmedi 24-vjeçar, me golin e shënuar të martën mbrëma kundër BATE Borisovit ku i siguroi barazimin Leverkusenit (1:1), është futur në histori të Ligës së Kampionëve. Me katër gola në katër ndeshjet e para që i ka zhvilluar në Ligën e Kampionëve, Mehmedi është futur në një listë me Diego Costan, Alessandro del Pieron, Filippo Inzaghin dhe Jose Carlosin, të cilët më herët kanë arritur një statistikë të tillë, përcjell Koha Ditore.
“Mehmedi është njëri prej pesë futbollistëve që kanë shënuar nga një gol në katër ndeshjet e para të Ligës së Kampionëve. Para tij, këtë e kanë bërë edhe Costa, Carlos, Del Piero e Inzaghi”, shkruan “Blick.ch”, transmeton koha.net.
Mehmedi këtë edicion është treguar i rëndësishëm për Leverkusenin në Ligën e Kampionëve dhe është shënuesi më i mirë në këtë garë së bashku me Javier Hernandezin, i cili ka një ndeshje më shumë të zhvilluar. Ai ka shënuar gola në fitoren e parë të Leverkusenit (4:1) kundër BATE Borisovit, pastaj barazimin 4:4 dhe humbjen 3:2 nga skuadra e Romës. Mungoi në duelin e parë kundër Barcelonës, të cilin ekipi gjerman e humbi me rezultatin 2:1.
Aktualisht Leverkuseni zë vendin e tretë në Grupin E të Ligës së Kampionëve me pesë pikë të tubuara në po aq ndeshje të zhvilluara. Pesë pikë i ka edhe Roma në pozitën e dytë derisa BATE Borisov është i fundit me katër pikë. Grupit i prin Barcelona që tashmë ka siguruar kualifikimin në fazën e nokautit me 13 pikë të tubuara. Leverkuseni në xhiron e fundit të fazës së grupeve luan në shtëpi kundër Barcelonës (9 dhjetor).
Mehmedi para fillimit të këtij edicioni u transferua te Leverkuseni nga Freiburgu dhe me ekipin ka kontratë deri në verën e vitit 2019. Ai këtë edicion në total ka 19 paraqitje për Leverkusenin në të gjitha garat dhe ka shtatë gola të realizuar. Mehmedi është reprezentues i Zvicrës.


