Bashës i mungon Italia
Vetëm pak muaj pas transferimit në Zvicër te Lucerna, Migjen Basha nuk e fsheh dëshirën për t’u kthyer në Serinë A. Mesfushori i Kombëtares shqiptare, që ishte një kohë pjesë e Torinos, në një intervistë për mediat italiane e ka pranuar se ka një ndryshim shumë të madh mes futbollit italian dhe atij zviceran.
Basha e ka bërë të qartë se nuk e ka ndërmend të qëndroj gjatë në Zvicër.
“Italia më mungon, madje shumë. Ndihesha mirë atje. Do të gënjeja po të thosha të kundërtën. S’do ta harroj kurrë eksperiencën që kam kaluar në Itali. Nuk dua të qëndroj në Zvicër, synimi im është të luaj në nivelet më të larta të futbollit. Nuk do të ishte keq nëse provoj një tjetër eksperiencë në Itali, madje do të isha shumë i lumtur nëse kthehem në këtë vend. Jam mësuar me kampionatin italian, ku i kushtonin më shumë rëndësi taktikës. Këtu, në Zvicër, secili vrapon për llogari të tij dhe nuk punohet me detajet”, ka deklaruar Basha.
Më pas Basha ka kujtuar kualifikimin historik të Kombëtares shqiptare në Euro 2016, duke u shprehur se kuqezinjtë nuk do të kenë asgjë për të humbur në turneun që do të zhvillohet verën e ardhshme në Francë.
“Më këtë kualifikim kemi bërë një mrekulli, që do të mbetet në histori. Nuk e di deri ku mund të arrijmë, por ne do ta provojmë, nuk kemi asgjë për të humbur. Nuk do të kemi presion për sa u përket rezultateve që do të arrijmë, populli ynë do të jetë krenar çfarëdo që do të ndodhë në Francë”, ka shtuar më tej Basha.


