Kërkohet rikandidimi i Vokrri për kryetar të FFK-së
Lidhjet Rajonale, të cilat operojnë në kuadër të Federatës së Futbollit të Kosovës, kanë kërkuar rikandidimin e Fadil Vokrrit për kryetar të FFK-së
Kryetarët e Lidhjeve Rajonale të Futbollit të Kosovës sot kanë mbajtur një konferencë për media, në të cilën është kërkuar rikandidimi i Fadil Vokrrit për kryetar të FFK-së.
Në konferencë ishin prezent kryetarët e LRF-së: Ismajl Ajeti kryetar i LRF të Prishtinës, Agim Maloku kryetar i LRF të Prizrenit, Iljaz Mjaku kryetar i LRF të Ferizajt, Ali Zasella kryetar i LRF të Mitrovicës, Ismet Ahmeti sekretar i LRF të Pejës, dhe Sadik Byci sekretar i LRF të Gjakovës.
“I kemi kërkuar kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri që të rikandidohet për postin e kryetarit, duke marrë parasysh punën e madhe dhe momentin e ndjeshëm për futbollin kosovar në raport me komunitetin ndërkombëtar të futbollit. Me rëndësi të veçantë është vazhdimi i procesit të anëtarësimit të FFK-së në UEFA dhe FIFA gjegjësisht finalizimin e saj, në të cilën roli i Vokrrit me bashkëpunëtorë ka qenë krucial, prandaj konsiderojmë se është edhe e moralshme dhe domethënëse që në krye të saj të jetë përsëri ai”, është shprehur Ismajl Ajeti në konferencë.
“Pothuajse të gjithë delegatët dhe kryetarët e shtatë rajoneve jemi unik dhe kërkojmë rikandidimin e Vokrrit. Kjo kërkesë është protokolluar në administratën e FFK-së dhe presim vendimin pozitiv të kryetarit dhe të Këshillit Ekzekutiv të FFK-së”, ka përfunduar Ajeti.


