Pnishi deri vonë futbollin e kishte vetëm hobi
Dëshira e nënës së Alban Pnishit ishte që ai të vazhdonte shkollimin. Por mbrojtësi kosovar i skuadrës Grasshoppers, që garon në elitën e futbollit të Zvicrës, vazhdoi rrugën e tij për t’u bërë profesionist.
“Unë kam qenë një person që pasi përfundoja mësimin kapja topin për të luajtur”, thotë Pnishi. “Çdo ditë”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Megjithatë Pnishi, 25-vjeçar, deri në moshën 18-vjeçare futbollin e shihte vetëm si hobi.
“Si 18-vjeçar fitova rastin të depërtoja në ekipin e parë të Wohlenit. Dhe që nga ai moment nisa ta merrja me seriozisht futbollin”, thotë Pnishi, sot reprezentues i përfaqësueses së Kosovës.
Por Pnishit edhe kur ishte 16-vjeçar i kishin thënë trajnerët që ta merrte më seriozisht, por ai vetëm kur i kishte mbushur 18 vjet futbollin e kishte vënë në plan të parë.


