Një vizitë njëjavore në Turqi nuk të bën keq
Nga Sali Bytyçi – M’u desh të shkoja në Turqi, të konstatoja se, përkundër shqiptarëve që vuajnë të jenë diçka tjetër nga çfarë janë, turqit nuk e kanë këtë kompleks. Pas kthimit nga Turqia, njeriu e ka të vështirë çfarë të tregojë më parë nga ato që sheh për ato ditë sa qëndron atje.
Se ka bum ekonomik në Turqi, shihet nga larg.
Se i kushtohet rëndësi e veçantë trashëgimisë, edhe kjo shihet nga larg.
Se janë të “ngarkuar” ca si tepër me të shkuarën, me histori po edhe me legjenda, edhe kjo vërehet qartë.
Se kanë nostalgji për kohërat e kaluara dhe që “ëndërrojnë” ta kthejnë kohën që nuk kthehet, gjithashtu vërehet.
Nga t’ia nisë njeriu rrëfimit për të?
Mua personalisht, sa më interesoi trashëgimia, po aq më interesonte edhe e sotmja e Turqisë, më interesonte pamja e njerëzve, lëvizja e gjallë e tyre nëpër rrugët e qyteteve që vizitonim, veshja etj.
Në veshje, sikurse edhe në pamje, shumë qartë dallonin turqit nga arabët. Shamia dhe manteli, tek gratë, aty shin veshje popullore, veshje e masës. Ndërsa shtresa intelektuale, shtresa e shkolluar, zakonisht karakterizohen nga veshja allaturka.
Arabet, kanë tjetër veshë. Me perçe, më të mbuluara.
Burrat në përgjithësi kanë pak mustaqe, ndonjë ka një mjekër të shkurtër, ndërsa mjekrat që i shohim nëpër qytetet e Kosovës, dhe pantallonat e shkurtër, ndoshta gjenden diku, po unë, pa marrë parasysh që i bëra sytë katër, nuk i pashë askund në Turqi, përjashto ndonjë hoxhë të rrallë.
Si përfundim të këtij shënimi të shkurtër, më duhet të deklaroj se:
M’u desh të shkoja në Turqi, të konstatoja se, përkundër shqiptarëve që vuajnë të jenë diçka tjetër nga çfarë janë, turqit nuk e kanë këtë kompleks.
M’u desh të shkoja në Turqi, të konstatoja se këto pamjet që po shfaqen përditë e më shumë në Kosovë, nuk vijnë nga Turqia, por pak më larg nga ajo.
M’u desh të shkoja në Turqi, të konstatoja se shqiptarët, nëse një bimë e dreqit gjendet në fund të botës, ata do të shkojnë ta marrin për ta mbëltuar në vendin tonë.


