Ekskluzive, reagon Tarashaj: Mos shpifni, nuk e kam refuzuar Kosovën
Disa media raportuan se sulmuesi i talentuar Shani Tarashaj kishte refuzuar ftesën e Përfaqësueses së Kosovës për ndeshjen ndaj Shqipërisë. Por ka qenë vetë sulmuesi fantastik i Grasshopperit që në një intervistë ekskluzive ka reaguar ndaj shkrimeve.
20-vjeçari ka thënë se nuk ka marrë ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës për ndeshjen ndaj Shqipërisë, ndërsa i falënderon ata për interesimin e bërë që një kohë të gjatë.
“Nuk e di se si kanë guxim njerëzit të shpifin ashtu. Unë nuk kam marrë ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës dhe nuk e kam refuzuar atë”.
“Si mund ta refuzoj vendlindjen time? Nuk i kuptoj ato shkrime. Dua t’i falënderoj njerëzit e FFK-së që më kanë kontaktuar që një kohë të gjatë dhe ata i dinë qëllimet e mija”, shprehet Tarashaj për Telegrafin.
“Unë aktualisht jam pjesë e Zvicrës U21 dhe kur të vijë koha do të vendosi se për kë do të luaj, Kosovën apo Shqipërinë”.
Tarashaj është njëri nga sulmuesit më të talentuar në Evropë, pasi në 12 ndeshje me Grasshopperin ka shënuar shtatë gola në kampionat ndërsa dy të tjerë në kupë. /Telegrafi/


