Fundamenti

Jashari: Shqetësuese dhuna ndaj grave

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se dhuna ndaj grave është më e shprehur, por më pak e raportuar në fshatra, kurse në qytete është më pak e shprehur dhe më shumë e raportuar.

Kështu ka deklaruar Jashari gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke shtuar se ka pasur raste kur në prezencën e personit që ka ushtruar dhunë është intervistuar gruaja e që, sipas tij, është absolutisht e papranueshme.

Mobi Casa

Zëri: Kohë pas kohe në medie po raportohet për dhunën ndaj grave, ndërsa muajin e kaluar ka ndodhur edhe vrasja e një gruaje nga bashkëshorti i saj. Sa është shqetësuese për Avokatin e Popullit kjo ngjarje?

Jashari: Jo që është shqetësuese, por realisht është shkelja më e rëndë e të drejtave të njeriut, sepse me të drejtën në jetë dhe të gjitha instrumentet ndërkombëtare, edhe këto që janë në fuqi në Kosovë, e cilësojnë njëjtë. Ajo që ne kemi bërë menjëherë pas kësaj informate, kemi hapur hetimet zyrtare për të parë nëse periudha e procedimit gjyqësor që është zhvilluar në institucionet tona ka qenë efektive dhe nëse nuk ka pasur ndonjë pengesë apo nëse nuk ka pasur ndonjë shkelje të të drejtave gjatë procedurave, siç ka ndodhur edhe me një rast tjetër të konfirmuar prej Gjykatës Kushtetuese, ju e dini rastin e Diana Kastratit. Para këtij rasti ka pasur edhe një rast tjetër para shumë vitesh në fshatin Bardhosh, ku gjithashtu ka qenë rast në procedurë gjyqësore, ku me vendim gjyqësor është vendosur për ta ndarë atë çift, por duke e lejuar të jetojnë në të njëjtën shtëpi, ku kanë jetuar edhe më herët. Por në atë situatë është nxitur më tej konflikti, puna e xhelozisë apo e raporteve tjera që kanë qenë të prishura dhe ka ndodhur e njëjta situatë. Janë tri raste që ne i kemi përcjellë. Por po them pjesa kryesore ka të bëjë me procedurën gjyqësore, sepse nuk mund të evitohen vrasjet në asnjë shtet definitivsht, po kur janë në procedurë gjyqësore dhe kur janë situata të këtilla, ku ka indikacione se raportet janë të prishura, kur ka indikacione se mund të ketë kërcënime të tilla, atëherë edhe puna e Policisë, edhe e sistemit gjyqësore dhe e atij prokurorial duhet të vijë në shprehje. Nëse ka pengesa në procedimin adekuat apo zbatimin e ligjit, atëherë shteti mbahet përgjegjës për shkeljen që i është bërë dhe familjarëve u takon kompensimi. Por edhe kompensimi ka qenë problem. Gjykatat tona nuk janë të përgatitura sa duhet për ta zbatuar këtë lloj praktike,sepse ligjet tona kanë pak mangësi që i vënë në konfuzion gjyqtarët./zeri/