Me drogë drejt Evropës
Nga Milaim Shefkiu – Nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian është një sihariq që vjen pas gjithë asaj rrëmuje që ndodhi në Kuvendin e Kosovës. Lajmi nga Strasburgu se Kosovës iu hap përfundimisht dera për integrim në BE, është një Hermes që i tregon Kosovës përgjegjësitë dhe perspektivën e integrimit.
Me këtë marrëveshje, Kosova për herë të parë zyrtarisht dhe pa folklorizma, hap kapitullin e integrimit në BE-në. Kjo, në substancë fuqizon vendin në demokratizim, zhvillim ekonomik, qëndrueshmëri institucionale, rend e ligj, llogaridhënie… E mbi të gjitha ia heq Serbisë mjegullën, i kthjell trurin, se Kosova ecën e vetme për Bruksel dhe në këtë segmente duhet të “pozdravitet” me fqinjin kosovar.
Mirëpo, ky lajm sado që është i mirë, qytetarët e kanë pritur nën ethe, për shkak të përplasjeve të mëdha ndërmjet opozitës së rebeluar dhe koalicionit ngucakeq.
Tani lindin dilemat se në cilën seancë të Kuvendit të Kosovës do të ratifikohet MSA-ja dhe cili do të jetë roli i opozitës në këtë mesele. A do të miratohet marrëveshja më e rëndësishme e Kosovës me BE-në nën tymin e gazit lotsjellës, me shishe e piskama si në dasmë, dhe nën zhargonin e shahistëve (ma han, ta ha) apo si Projektligji për Shëndetin Mendor në ish-kafenenë e katit të katër të objektit të Kuvendit.
Të gjitha këto dilema, e zbehin gëzimin e marrëveshjes së shumëpërfolur dhe të shumëpritur të MSA-së në mes Kosovës dhe BE-së.
Në katrahurën e legjislativit, hendeku i mosmarrëveshjeve është thelluar edhe më shumë, sidomos pas intervistave të oponentëve politikë nëpër media, të cilët në vend që të angazhohen për uljen e gjakrave, ata nxisin konfliktin si ai çobani i keq që ndërsen qenin, në vend që ta ndalë.
Të dy taborët, pozita dhe opozita, nuk mendojnë se si ta gjejnë një alternativë për dalje nga kriza, por me metafora e alegori të odave të katundeve, e atakojnë njëri-tjetrin, e etiketojnë me lloj-lloj epitetesh.
Madje për herë të parë publikisht, kryeparlamentari Kadri Veseli, ka deklaruar se disa deputetë brenda seancave plenare vijnë nën ndikim e drogës. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë përveç testit të alkoolit, që kërkoi zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, duhet gjithsesi të bëhet edhe testi i kokainës, që kërkoi Fisnik Ismajli i “Vetëvendosjes”.
Nëse në këtë tymnajë ka edhe zjarr, siç thotë populli, kjo është më shumë se shqetësuese, sepse Kosovën nëpër tranzicionin e vonuar me shumë sfida, po e përfaqësojnë njerëzit e varur me substanca piskotropike ose narkotike.
E nëse kjo nuk del e vërtetë, atëherë gjithsesi ata që e kanë potencuar publikisht, duhet të mbajnë përgjegjësi për demagogjinë dhe trillimet. Jo se drogën nuk e konsumojnë politikanët nëpër botë, por këtu del si paradoks dhe krijohet filozofia e “Escobarit” në shtetin më fukara të Evropës.
Pas këtyre akuzave të fundit, përfundimisht ka ardhur koha që kjo nomenklaturë legjislative e ekzekutive, por edhe e gjyqësorit, të ecin. Plejada e politikanëve që ka bërë revolucionin, është harxhuar dhe para se të bëhen horë, është mirë që vetë ta braktisin politikën. Të mos përfundojnë si ish-udhëheqësit e LNÇ-së, Alia Shukrija me shokët e tij.


