Prokuroria ka zgjeruar hetimet për një person të gjashtë për terrorizëm
Hetimet ndaj grupit të pesë të arrestuarve nën dyshimin për planifikimin e një sulmi terrorist në Kosovë, afër liqenit të Badovcit janë zgjeruar.
Për këtë arsye Gjykata Themelore në Prishtinë, ka vendosur për vazhdimin e paraburgimit të Milazim Haxhiajt, nga Istogu, Besnik e Enis Latifit, nga Mitrovica, Gazmend Halilit, nga Hajvalia, dhe Fehmi Musës, nga Fushë-Kosova, shkruan sot Koha Ditore.
Vazhdimi i masës së sigurisë është bërë me kërkesë të prokurores speciale Drita Hajdari, e cila mësohet se ka zgjeruar hetimet me dyshimet për një të dyshuar të gjashtë (identiteti i të cilit është i njohur për gazetën).
Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, ka konfirmuar për gazetën se bëhet fjalë për zgjerim të hetimeve.
“Po është vazhduar paraburgimi, arsyet janë të njëjtat si me rastin e caktimit të masës së paraburgimit. Prokuroria ka edhe zgjerim të hetimit dhe në këtë fazë nuk mund të japim detaje të tjera”, ka thënë Ibrahimi.
Në vendimin e gjyqtarit që udhëheq procedurat ndaj pesë të arrestuarve në korrik të këtij viti, Vehbi Kashtanjeva, thuhet se ekziston rreziku i ikjes së të dyshuarve, frikësimit të dëshmitarëve dhe asgjësimit të provave të tjera në rast të lirimit nga masa e sigurisë. Më tej përmendet fakti se, duke u bazuar në dyshimin mbi ta, të dyshuarit mund të dënohen deri në pesë vite burg.
http://koha.net/?id=3&l=80080


