PDK: LDK i iku debatit në Kuvend por nuk mund tu shmanget qytetarëve
Gjilan – Bojkotimi i seancë së jashtëzakonshme nga asambleistët e LDK-së dhe AAK-së, shfaqë problemet serioze dhe të jashtëzakonshme që ka kjo qeverisje komunale në Gjilan. Kryesuesja e Kuvendit Komunal Valentina Bunjaku përfaqësoi më së miri panikun në të cilën gjendet ky pushtet, i cili nuk ka guximin të debatojë për gjendjen e rëndë në sektorin e Arsimit.
Politizimi i skajshëm i Arsimit në Gjilan, duke vendosur drejtorë shkollash militantësh, duke formuar komisione prej militantëve, duke zgjedhur militantë dhe familjarë, duke shkelur mbi kuadrot profesionale dhe meritore, duke bërë shkelje ligjore në secilin proces, duke transferuar mësimdhënës nga komunat tjera në Gjilan pa kurrfarë konkursi. Ky pushtet këtë vit ka sfiduar të gjitha shifrat duke e quar në mbi 50 numrin e të punësuarve pa konkurs. Paralelizmi në mes të njerëzve “të fortë” të LDK, ka bërë që të fshehën me dhjetëra vende të punës në Arsim, e duke punësuar aty familjarë të krerëve të LDK-së.
Ky pushtet në panik, ka vendosur që të lërë studentët e Gjilanit dhe nxënësit e dalluar pa bursa, duke anashkaluar vendimet e Kuvendit Komunal të Gjilanit, që kishte planifikuar 70 mijë euro dhe duke e ri destinuar këtë buxhet në mënyrë joligjore.
Regjistrimet e nxënësve nuk është bërë sipas rregullores së miratuar, por sipas fuqisë dhe preferencave të LDK-së, kjo qasje diskriminuese ka ndodhur nëpër të gjitha shkollat e Gjilanit.
Organizimi i ekskursioneve edhe në këtë vit është bërë me ndikime të skajshme politike dhe të grupeve të interesit, ku drejtori i Arsimit Nazmi Musa është detyruar të dorëhiqet nga komisioni për përzgjedhjen e kompanive nëpër shkollat e Gjilanit. Rast për këtë është edhe deklarata e një operatori ekonomik që akuzon hapur për korrupsion. Me këtë lojë të biznesit, janë dëmtuar për 70 mijë euro nxënësit e shkollave.
Krejt këto parregullsi flasin për nevojën e domosdoshme për debat në Kuvendin Komunal, e ku nuk bënë të fshihet as kryetari i komunës, kryesuesja e Kuvendit Komunal, drejtorët apo ndonjëri nga asambleistët. Sikur të ishte gjendja mirë në Arsim, atëherë nuk do të kishte frikë për debat në institucionin më të rëndësishëm të komunës së Gjilanit.
Të gjithë këta zyrtarë të qeverisjes komunale duke filluar nga e para e Kuvendit Komunal, duhet ti tregojnë së pari këshilltarëve komunal edhe qytetarëve, se kush kënd nga familjarët e ka punësuar, kush ka përfituar nga ekskursionet, si janë bërë regjistrimet e nxënësve si dhe për të gjitha problemet tjera të cilat janë akumuluar në Arsim thuhet në reagimin e PDK-së./rajonipress/


