Sfidat e funksionimit të kompanive publike në Kosovë
Nga Raif Ramabaja – Politikat ekonomike në Kosovë kanë tendencë të bazohen në ekonominë e tregut dhe ndërmarrjet të funksionojnë sipas ligjeve të tregut. Por në praktikë vetëm, pjesërisht ndodhë kështu.
Kapitalizmi si sistem është i bazuar në parimin që kapitali të krijojë vlerën e caktuar,ndërsa të hyrat nga kjo t’i kthehen investitorit. Nga njerëzit që investojnë kapital bukfalisht nuk kërkohet të punojnë. Ata e investojnë kapitalin e tyre dhe e lëshojnë që ai të punojë për ta. Si kompensim për këto investime ata përfitojnë të hyra.
Në këtë rast ka kuptim të paramendohet se, pronarët e kapitalit janë në gjendje ta kontrollojnë kompaninë ku kanë investuar. Normalisht se kjo ka funksionuar në fazën e parë të kapitalizmit, kur pronarët e kapitalit kanë qenë njëkohësisht edhe menaxherë.
Tani, jemi në kohën e kapitalizmit bashkëkohor. Kompanitë kosovare në përgjithësi, por edhe kompanitë publike, nuk mendoj se janë sa duhet të përgatitura që t’i respektojnë rregullat dhe të përballën me ligjet e ekonomisë së tregut. Në Kosovë ende kemi bukur shumë informalitet ekonomik, i cili në mënyrë të “qetë” po e gërryen shtetin dhe njëkohësisht ky informalitet tolerohet dhe nuk luftohet sa duhet nga po ai shtet. Kjo na bënë që të kemi rregulla të pashkruara të një “Kapitalizmi të egër” , ku humbin shumë edhe bizneset por edhe shteti.
Të gjithë e dimë se ka ekonomi informale në Kosovë, por problem është se nuk dimë si ta luftojmë këtë fenomen. Po del që ekonomia informale i ka rrënjët diku më thellë, sepse nga kjo përfitojnë një rreth më i “gjerë” njerëzish, ndërsa humbin shumë biznese dhe shteti. Mirë është që e kemi diagnostifikuar problemin, por është keq që po mungon terapia adekuate.
Funksionimi i kompanive publike në Kosovë është bërë problem në veti. Këtë problem nuk po e trajtojmë sa duhet dhe si duhet. Ndërsa, një përkujdesje më serioze dhe mirë e menduar mund t’i sjellë Kosovës dhe qytetarëve dobi të konsiderueshme. Dhe në vend se të mbushin buxhetin e Kosovës, këto kompani e varfërojnë atë duke kërkuar gjithnjë grante nga buxheti i Kosovës. Shtrohet pyetja se sa kontrollohen këto kompani nga pronari – Qeveria e Kosovës ? Çka po behët me Bordet e drejtorëve nëpër këto kompani dhe sa kontrollohet puna e kompanive dhe e vet Bordeve nga pronari në këtë rast nga Qeveria e Kosovës ?
Në të vërtetë Bordi është paramenduar ashtu që të jetë urë lidhëse dhe të mundësojë pronarit që të kontrollojë kompanitë e tyre , duke përfaqësuar aksionarët eventual dhe menaxhmentin mbikëqyrës. Por kjo siç duket nuk po funksionon si duhet. Është dashur por nuk funksionon. Në realitet, shumicën e bordeve të drejtorëve i zgjedh qeveria apo komuna, duke anashkaluar aftësitë profesionale, përvojën dhe perfomansën e punës së tyre. Anëtarët e Bordeve duhet të jenë të denjë, njerëz profesional, kompetent dhe të dezinfektuar nga politika partiake ditore. Bordet nuk duhen të jenë vendstrehim i militantëve partiak, siç po ndodhë tani. Ky është gabim fatal.
Sot ndërmarrjet publike janë shumë komplekse , ku një bord i tillë takohet një herë në muaj , një ditë ose dy për t’i kuptuar problemet sa duhet. Disa borde të drejtorëve nga njëherë s’ kanë lidhje dhe nuk dinë se çka po ndodhë në kompani. Në procesin e vendosjes anëtarët e Bordit kryesisht bazohen në atë se çka informohen nga menaxhmenti i kompanisë. Këta zakonisht debatojnë për raportet financiare të kompanisë dhe përkrahjen e rekomandimeve të menaxhmentit.
Kush e kontrollon procesin e vendimmarrjes?
Si ta ndalojmë dhe kontrollojmë menaxhmentin e pangopur? Për çka bordet e drejtorëve shpesh herë s‘kanë lidhje për atë se çka po ndodhë në kompani? Kush, në të vërtetë i kontrollon kompanitë ?
Bordet e drejtorëve kënaqen me faktin se kontrollojnë buxhetin , revizionin e aktives dhe përmes sajë kontrollojnë fitimin- aksionet. Në rrethana të tilla i vetmi interes që i bashkon pronarët, menaxherët dhe anëtarët e bordeve është momenti kur vërehet që çmimi i aksioneve ka filluar të rritet. Në këtë rast kur rritet çmimi i aksioneve, aksionarët janë të kënaqur sepse investimi i tyre është paguar. Bordet janë të kënaqura sepse i kanë përmbushur nevojat e aksionarëve dhe kështu e kanë rritur pagën e tyre . Dhe krejt në fund edhe menaxhmenti është i kënaqur, sepse kanë përkrahjen nga bordi, nuk bën presion në ta që të angazhohen më tepër në punë, por edhe kanë bonuse plotësuese për këto rezultate. “Qëllimi i menaxhmentit është që ta rrisë vlerën e aksioneve dmth. kapitalizimin e kompanisë”.
Por, kush në këtë sistem i kontrollon vendimet, të cilat i sjellë kompania (menaxhmenti)? Nuk janë aksionarët e as bordi , po kush atëherë? Ratio i cili tregon fitimin/aksionin, është pikërisht ai që kanalizon vendimmarrjen. Çmimi i aksioneve duhet në mënyrë drastike të bie, deri te përmasat e krizës e që bordi të veprojë duke ndërruar menaxhmentin. Por as kjo nuk po ndodhë në Kosovë.
Pse? Sepse edhe bordi edhe menaxhmenti janë më tepër organe politike se profesionale.
Deri te dezintegrimi ka ardhur për shkak të ndryshimit -ndarjes së pronarit prej kontrollit të kompanisë. Ku paraqitet dezintegrimi? Ata që e kanë marrë rrezikun mbi vete, nuk kanë pasur kontroll për vendimet, ndërsa ata që i kanë kontrolluar vendimet nuk kanë rrezikuar.
Shtrohet pyetja se, cili kryetar apo anëtar i bordit deri me tani ka shkuar në përgjegjësi për rezultate negative afariste apo keqpërdorime tjera ? Askush! Në anën tjetër, nuk kanë lënë as një benefit pa e shfrytëzuar, qoftë edhe duke keqpërdorur pozitën e tyre.
Neve në Kosovë nuk na nevojitet edhe më tutje e njëjta gjë. Pra, na nevojitet një zgjidhje tjetër. Na nevojitet pra, një reinxhinjering i të menduarit dhe sistemit në përgjithësi.
A është rregullativa e re ligjore apo nga ana e shtetit emërimin e bordit të drejtorëve ajo që e zgjidh problemin e ndarjes mes atyre që e marrin rrezikun e nuk vendosin dhe atyre që vendosin e nuk e marrin rrezikun? Jo nuk e zgjidhin problemin. Pra, kjo është esenca e problemit!
Shtrohet pyetja, kush e merr rrezikun e humbjes në qoftëse kompania falimenton? Kush (veç aksionarëve) më se tepërmi kujdesët për të mirën e kompanisë? Përgjegjia është e thjeshtë: të punësuarit. Ata rrezikojnë! Ata duhet me qenë pjesë e qeverisjes-drejtimit të kompanisë.
Duhet t’i lëmë anash raportet kundërthënëse dhe të ndërtojmë raporte bashkëpunimi dhe partneriteti nga niveli më i ultë deri te niveli më i lartë i kompanisë.
Njëri nga krijuesit e teorisë së menaxhmentit modern dhe autori i shumë librave Isak Adizhes këtë e quan, “Demokraci industriale” . Në demokracinë industriale, të punësuarit janë ata që i zgjedhin anëtarët e bordit dhe udhëheqësin e tyre. Kjo është demokraci, sepse njerëzit me të cilët udhëhiqet, zgjedhin ata të cilët do t’i kryejnë funksionin e udhëheqjes. Në këtë mënyrë menaxhmenti kontrollohet përmes bordit, i cili përbëhet nga kapitali dhe të punësuarit. Problemet sistemore kërkojnë zgjidhje sistemore. Neve na duhet ta ndryshojmë sistemin tonë të vlerave dhe filozofinë tonë politike, të viktimizojmë do “lopë të shenjta”. Për t’i bërë këto ndryshime fundamentale më duket se na nevojitet, që edhe më tutje të thellohemi në krizë edhe më të madhe ekonomike./rajonipress/


