Matoshi: Kamenica meriton më shumë
Kamenicë – Paralajmërimet e Nënkryetarit të Kamenicës Fatmir Matoshi, i cili është edhe kryetar i Degës së AKR-së, për mundësinë e mos aprovimit të buxhetit komunal të vitit 2016 dolën të jenë të sakta. Partnerët e koalicionit në Kamenicë kërkuan shtyrjen e aprovimit të këtij buxheti për ti dhënë edhe një mundësi Komisionit Komunal për buxhet dhe Ministrisë së Financave për të bërë ndryshime eventuale në favor të investimeve kapitale.
Në një bisedë për Rajonipress, nënkryetari Fatmir Matoshi, ka vlerësuar se buxheti i propozuar nuk përmbush as për së afërmi nevojat e investimeve në infrastrukturën e Kamenicës. “Një komision ka punuar në këtë buxhet, por të paktën unë si nënkryetar komune nuk kam informacione pse planifikimi i të hyrave vetanake është më i vogël, pse ka ngritje dhe zvogëlim në kodet e ndryshme buxhetore. Nuk e dimë as sa janë përfillur kriteret për ndarjen e granteve për komunat, kur e kemi parasysh se Kamenica është komunë me territor kodrinoro-malor, kemi shkolla me numër të vogël të nxënësve, kemi ambulanta që janë funksionale dhe krijojnë gjithashtu shpenzime edhe pse janë në fshatra të largëta të malësisë, kryejmë shërbime edhe në komunën e Ranillugut në disa fusha siç janë zjarrfikësit etj. Jemi komunë që kemi komunitete pakicë që poashtu ka përparësi në ndarjen e granteve. Marrë në konsideratë tërë këto nuk e di si ka mundësi që të na lejohen vetëm 9.5 euro investime kapitale për kokë banori” tha nënkryetari Matoshi.
Ai ka thënë se komuna nuk ka në plan të mbyllë shkolla e ambulanta që të rregulloj rrugë, kanalizime e ujësjellës. “Kjo nuk është politika jonë. Ne jemi në një gjendje aspak të mirë përsa i përket infrastrukturës, kjo është komunë e lënë anash që nga paslufta, rreth 30 përqind e pjesëve të qytetit nuk kanë qasje në ujësjellës, kanalizim dhe nuk kanë ndriçim publik e rrugë të asfaltuara, këto janë kushte elementare për jetë, kemi fshatra të tëra që nuk kanë infrastrukturën minimale të nevojshme dhe kjo gjendje po bëhet e padurueshme. Këto kushte do të krijonin mundësi më të mira për zhvillimin ekonomik dhe bujqësinë, ne edhe ashtu autostradat nuk i kemi afër.” ka thënë nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi.
Kamenica ishte paraparë që të ketë buxhet prej 7 milion e 100 mijë eurosh, ndërsa vetëm 351.606 euro investime kapitale./rajonipress/


